Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp datë 07 Shkurt 2024

Sot, në datë 07.02.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Në përmbushje të detyrimit ligjor, Këshilli miratoi “Raportin vjetor mbi veprimtarinë e Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit, për vitin 2023” si dhe “Raportin mbi veprimtarinë e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, për vitin 2023”.

Më tej, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi vendimin mbi transferimin e dy automjeteve pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Këshilli miratoi vendimin mbi detajimin e fondit të veçantë për sistemin gjyqësor, për vitin buxhetor 2024.

Ndër të tjera, Këshilli miratoi vendimin për një ndryshim në vendimin nr. 15, datë 22.01.2019 “Mbi ngritjen e Komisionit të Përkohshëm për vlerësimin etik dhe profesional në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve”, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, i ndryshuar me vendimin nr. 602, datë 23.12.2021 dhe me vendimin nr. 88, datë 09.03.2022.

Pas përcaktimit me short, Këshilli vendosi për ngritjen dhe përbërjen e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e kandidatëve për në provimin e pranimit në programin e formimit fillestar në shkollën e magjistraturës, për kancelar dhe/ose për ndihmës ligjor për vitin akademik 2024-2025.

Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimin për një ndryshim në vendimin nr. 31, datë 31.01.2024 “Për numrin e kandidatëve që do të pranohen në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2024-2025” të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pas hedhjes së shortit, Këshilli vendosi për fillimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për pozicionet e lira në fushën e të drejtës civile të shpallura me vendimet nr. 239 – nr. 247 datë 24.05.2023 dhe Gjykatën Administrative të Apelit për pozicionet e lira të shpallura me vendimet nr. 235 – nr. 238 datë 24.05.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Këshilli shqyrtoi dhe miratoi vendimin për renditjen e kandidatëve në procedurën e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 129, datë 01.04.2021, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në vijim, Këshilli vendosi për ngritjen në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të znj. Diamela Goxha.

Në përfundim të mbledhjes Këshilli miratoi procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të datave: 04.12.2023, 06.12.2023, 07.12.2023, 12.12.2023, 14.12.2023, 26.12.2023 dhe 28.12.2023.

Back to top