Njoftim për shtyp datë 31 Janar 2024
Sot, në datë 31.01.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Këshilli i Lartë Gjyqësor, në përmbushje të detyrimit ligjor dhe pas analizimit të situatës së sistemit gjyqësor dhe mundësive që ka Shkolla e Magjistraturës, miratoi numrin prej 20 (njëzet) kandidatë për magjistratë, profili gjyqtar dhe 15 (pesëmbëdhjetë) kandidatë për ndihmës ligjorë, që do të pranohen në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2024-2025.
Më tej, Këshilli miratoi “Raportin vjetor të veprimtarisë së Komisionit të Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale për vitin 2023” si dhe “Raportin vjetor mbi veprimtarinë e Komisionit Disiplinor gjatë vitit 2023”.
Këshilli vendosi miratimin e raportit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares znj. {…}, me qëllim gradimi, për periudhën e vlerësimit 2013-2016, gjatë ushtrimit të detyrës së inspektores pranë Inspektoratit të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ndër të tjera, Këshilli miratoi vendimin për transferimin e znj. {…} në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë si dhe përfundimin para afatit të kohëzgjatjes së komandimit të gjyqtares znj. {…}, si ndihmësmagjistrate pranë Gjykatës së Lartë.
Këshilli miratoi vendimin për përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me Vendimin nr. 129, datë 01.04.2021, për kandidaten znj. {…}.
Në vijim, Këshilli vendosi për hapjen e procedurës dhe shpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Këshillin e Lartë Gjyqësor, kohëzgjatjen, kriteret dhe procedurën e komandimit, për 4 (katër) pozicione “Nëpunës përgjegjës për vlerësimin” në Njësinë e Vlerësimit Profesional dhe Etik të Gjyqtarëve, si dhe 1 (një) pozicion “Këshilltar” në Njësinë Mbështetëse pranë Komisioneve të Përhershme.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi për caktimin e seancës dëgjimore në datën 15 shkurt, për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates znj. {…} me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…}.
Gjithashtu, Këshilli vendosi për caktimin e seancës dëgjimore në datën 15 shkurt, për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates znj. {…} me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…}.
Këshilli miratoi vendimin për transferimin në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për gjyqtarët znj. {…} dhe znj. {…} në një pozicion të lirë në fushën e së drejtës civile, gjyqtarët znj. {…}, znj. {…} dhe znj. {…} në një pozicion të lirë në fushën e së drejtës penale, si dhe gjyqtarin z. {…}., në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Këshilli miratoi vendimin për përfundimin para afatit të transferimit të përkohshëm me pëlqim për gjyqtarët znj. {…} dhe znj. {…}.
Po ashtu, në kuadër të transferimeve si më sipër, gjatë mbledhjes u vendos të shqyrtohej dhe miratohej edhe përfundimi para afatit të transferimit të përkohshëm me pëlqim për gjyqtarin z. {…}.