Këshilli i Lartë Gjyqësor prezantoi sistemin e ri online për matjen e cilësisë të shërbimeve në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, nëpërmjet anketave të përdoruesve të gjykatës
Sot, më datë 17 nëntor 2023, në qytetin e Vlorës, Këshilli i Lartë Gjyqësor prezantoi sistemin e ri online për matjen e cilësisë të shërbimeve në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, nëpërmjet anketave të përdoruesve të gjykatës.
Matja e kënaqësisë së përdoruesve të gjykatës, në lidhje me aspektet kyçe të shërbimit të drejtësisë, synon të rrisë përgjegjshmërinë dhe reagimin e administratës të gjykatës, si dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin znj. Guilia Re shefe e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Tidita Fshazi përfaqësuese e delegacionit Europian në Shqipëri, znj. Laurela Muca menaxhere e SEJ IV, znj. Marçela Shehu anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor e caktuar për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun, z. Enkel Peza zëvendëskryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë dhe znj. Emirjana Dimo gjyqtare e Medias e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Kjo iniciativë e Këshillit të Lartë Gjyqësor u mundësua me mbështetjen e projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Forcimi i cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë në Shqipëri (SEJ IV)”, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” – Faza III.