Në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor është zhvilluar forumi i diskutimeve mes trupës gjyqësore dhe asaj të prokurorisë mbi zbatimin e marrëveshjes së transferimit të të dënuarve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.
Në datat 4-5 tetor 2023, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor është zhvilluar forumi i diskutimeve mes trupës gjyqësore dhe asaj të prokurorisë mbi zbatimin e marrëveshjes së transferimit të të dënuarve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.
Ky forum u organizua nga Ambasada Britanike në Tiranë, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, në kuadër të ratifikimit të Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, dhe Irlandës së Veriut mbi transferimin e personave të dënuar.
Paneli i këtij forumi përbëhej nga znj. Naureda Llagami, kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi, zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Paul Goldspring, ekspert i lartë gjyqësor i Mbretërisë së Bashkuar, z. Yaser El Borgi, zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Burgjeve dhe Shërbimit të Provës në Mbretësinë e Bashkuar, përfaqësues nga Ambasada Britanike si dhe nga Ministria e Drejtësisë, gjyqtarë dhe prokurorë të të gjitha niveleve.
Në fokus të këtij aktiviteti ishte prezantimi i magjistratëve me një tablo të përgjithshme të kuadrit ligjor, parimeve dhe politikave të sistemit të dënimeve penale në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shqipëri. Gjatë forumit, pjesëmarrësit adresuan pyetje mbi konstatimet praktike që rrjedhin nga zbatimi i marrëveshjes si dhe problematikat e hasura në përditshmëri.
Këshilli i Lartë Gjyqësor është i angazhuar plotësisht të mbështesë zbatimin e plotë të detyrimeve që burojnë nga kjo marrëveshje.