Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp datë 05 Tetor 2023

Sot, në datë 05.10.2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Këshilli miratoi vendimet për pranimin në shërbimin civil gjyqësor të znj. Jona Biba, në pozicionin e ndihmëses ligjore në Njësinë e Shërbimit Ligjor pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe të znj. Kristina Gaçe, në pozicionin e ndihmëses ligjore në Njësinë e Shërbimit Ligjor pranë Gjykatës Administrative të Apelit.

Në vijim, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin për fillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimin) të gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit.

Këshilli miratoi vendimin për renditjen e kandidatëve në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 17, datë 18.01.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Gjithashtu, Këshilli vendosi hapjen e procedurës së transferimit të përkohshëm për 1 (një) pozicion në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, 1 (një) pozicion në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, 1 (një) pozicion në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe 1 (një) pozicion në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Në vijim, Këshilli miratoi vendimet për renditjen e kandidatëve në procedurën e ngritjes në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë:

• për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale të shpallur me vendimin nr. 184, datë 28.05.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor;
• për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale të shpallur me vendimin nr. 185, datë 28.05.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Këshilli shqyrtoi dhe miratoi vendimin për përfundimin e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr.19, datë 18.01.2023, për kandidatin z. Ervin Sulaj.

Në respektim të dispozitave ligjore, Këshilli vendosi për transferimin e:

• gjyqtares znj. Matilda Llangozi, në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;
• gjyqtarit z. Artur Prenga, në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan;
• gjyqtarit z. Gjergji Baçi, në procedurën e lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi për kualifikimin e kandidates znj. Ina Hoxhaj dhe vijimin e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr.19, datë 18.01.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Këshilli vendosi miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor të datave 17.07.2023, 18.07.2023, 19.07.2023 dhe 24.07.2023.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin për caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.

Back to top