Takim pune me Ministrin e Drejtësisë dhe njëkohësisht Kryetarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Sheikh.Dr. Waleed Mohammed Al-Samaani
Sot, më datë 18 shtator 2023, Kryetarja e KLGj-së, znj. Naureda Llagami e shoqëruar nga zëvendëskryetari, z. Ilir Rusi si dhe anëtarja, znj. Brikena Ukperaj pritën në një vizitë zyrtare pune, një delegacion nga Mbretëria e Arabisë Saudite.
Delegacioni, kryesohej nga Sheikh.Dr. Waleed Mohammed Al-Samaani, Ministri i Drejtësisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite.
Vizita e Ministrit Waleed Al-Samaani, i cili mban njëkohësisht dhe pozicionin e Kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor të vendeve Arabe, është vizita e parë e një Ministri të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri.
Pjesëmarrësit në takim diskutuan mbi marrëdhëniet mes dy vendeve duke u fokusuar më së shumti tek roli i Këshillave në garantimin e cilësisë dhe eficencës së shërbimeve gjyqësore. Digjitalizimi i shërbimeve gjyqësore dhe përdorimi i inteligjencës artificiale, paralelisht me rritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve, janë disa nga sfidat por njëkohësisht edhe mundësitë për të ardhmen e sistemeve gjyqësore.
Në mbyllje të takimit, palët u angazhuan për rritjen e bashkëpunimit në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave midis institucioneve respektive në të ardhmen, sidomos në konteksin e transformimeve digjitale të shërbimeve gjyqësore, për të mundësuar një drejtësi efikase, transparente dhe të shpejt për publikun.