Njoftim për shtyp datë 28 Shtator 2023
Sot, në datë 28.09.2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Këshilli miratoi vendimet përkatëse për kualifikimin për emërim në shërbimin civil gjyqësor të znj. Jona Biba dhe znj. Kristina Gaçe, për pozicionin e ndihmësit ligjor në njësitë e shërbimit ligjor pranë gjykatave të apelit.
Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimin për kualifikimin e kandidatit z.Arben Dosti dhe vijimin e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 14, datë 18.01.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi për kualifikimin e kandidates znj. Suela Dashi dhe vijimin e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 24, datë 18.01.2023, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Më tej, Këshilli miratoi vendimet përkatëse për mosfillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimin), për periudhën e vlerësimit 2013-2016, për gjyqtaret znj. {…} dhe znj. {…}.
Këshilli shqyrtoi dhe miratoi vendimin për përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 503, datë 21.11.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për kandidatin z. Gerd Hoxha.
Në kuadër të plotësimit të pozicioneve të lira, Këshilli vendosi për shpalljen e 2 vendeve vakante në pozicionin e ndihmësit ligjor, përkatësisht një pozicion në Njësinë e Shërbimit Ligjor në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe një pozicion në Gjykatën Administrative të Apelit.
Në vijim, Këshilli vendosi për kualifikimin e kandidatit z. Gerd Hoxha dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me vendimin nr. 502, datë 21.11.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Këshilli miratoi vendimin për kualifikimin e kandidates znj. Elvana Çiçolli dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me vendimin nr. 504, datë 21.11.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në përfundim, Këshilli miratoi vendimin për caktimin e një anëtari në Komisionin për Mbrojtjen e Gjyqtarëve ngritur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.