Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 14 Qershor 2023

Sot, në datë 14.06.2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të propozojë për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 536, datë 17.11.2021, kandidaten znj. Vojsava Osmanaj.

Gjithashtu, Këshilli vendosi të propozojë për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 537, datë 17.11.2021, kandidatin z. Valbon Çekrezi.

Këshilli vendosi shtyrjen e shqyrtimit të projektvendimeve për hapjen e procedurave së lëvizjes paralele për 3 (tre) pozicione të lira në fushën e të drejtës civile në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm Tiranë dhe 3 (tre) pozicione të lira në fushën e të drejtës civile në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Gjithashtu, Këshilli vendosi për përfundimin e procedurës së lëvizjes paralele në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile të shpallur me vendimin nr. 21, datë 18.01.2023, për kandidatin z. Artan Jahollari, për shkak të tërheqjes nga kandidimi.

Pas shqyrtimit të kërkesës për dorëheqje nga detyra e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, Këshilli vendosi mbarimin e statusit të magjistratit z. Petraq Çuri.

Ndër të tjera, Këshilli miratoi vendimin për mosfillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit (gradimin), për periudhën e vlerësimit 2013-2016, për gjyqtaren znj. {…}.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas verifikimit të plotësimit të kushteve të komandimit në pozicionin e ndihmësmagjistratit në Gjykatën e Lartë, vendosi t`i dërgojë Gjykatës së Lartë emrat e kandidatëve që plotësojnë kushtet për t`u komanduar dhe konkretisht të z. Elton Frashëri, znj. Alda Sadiku, znj. Eva Hysku, znj. Sonila Hoxha dhe znj. Albana Misja.

Këshilli miratoi vendimet për fillimin e procedurës së përshpejtuar të detyruar të vlerësimit etik dhe profesional për:

• periudhën e vlerësimit viti kalendarik 2022, për gjyqtarët z. {…}, z. {…}, z. {…}, znj. {…}, znj. {…} dhe znj. {…};

• periudhën e vlerësimit viti kalendarik 2019, për gjyqtarët z. {…} dhe z. {…};

• periudhën e vlerësimit 10.02.2020 – 21.11.2022, gjyqtaren e komanduar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, znj. {…}.

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin për një ndryshim dhe shtesë në vendimin nr. 271, datë 25.05.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për fillimin e funksionimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë të riorganizuar”.

Në përfundim, Këshilli vendosi për kualifikimin e kandidatit z. Aurel Arapi dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me vendimin nr. 503, datë 21.11.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Back to top