Njoftim për shtyp, datë 29 Maj 2023
Sot, në datë 29.05.2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si më poshtë:
Këshilli miratoi disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 557, datë 29.12.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për krijimin, funksionimin dhe kompetencat e Komisioneve të Ristrukturimit”.
Këshilli miratoi vendimin për caktimin e numrit të gjyqtarëve në gjykatat administrative të shkallës së parë.
Më tej, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën Administrative të Apelit, për pozicionin e lirë, të shpallur me vendimin nr. 290, datë 06.07.2021, për kandidatin z. Sokol Ibi, për shkak të tërheqjes nga kandidimi.
Në kuadër të procesit të plotësimit të pozicioneve të lira në gjykata, Këshilli vendosi ngritjen në detyrën e gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit të znj. Enerjeta Shehaj.