Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në respektim të nenit 170 të Ligjit 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, i ndryshuar, zhvilluan mbledhjen e përbashkët vjetore në Korçë.

Sot në datën 12 Maj 2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në respektim të nenit 170 të Ligjit 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, i ndryshuar, zhvilluan mbledhjen e përbashkët vjetore në Korçë. Ky aktivitet u organizua me mbështetjen financiare të projektit “Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri” (SEJ IV), i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli Evropës dhe i zbatuar nga ky i fundit.

Në këtë takim, krahas anëtarëve të dy këshillave morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet e vendit, si Zv. Ministrja e Drejtësisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, përfaqësues nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme dhe misionet ndërkombëtare që asistojnë këshillat. Gjithashtu, i ftuar nderi në këtë mbledhje ishte edhe ish-Presidenti i Komisionit Evropian të Këshillit të Europës për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), njëkohësisht ekspert i lartë i CEPEJ, Mr. Georg Stawa.

Mbledhja u hap me fjalën e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Alfred Balla, i cili theksoi rëndësinë e mbajtjes së këtij takimi në qytetin e Korçës, si një nga qytetet që u prek më së shumti nga procesi i riorganizimit sipas “Hartës së Re Gjyqësore”.

Ndërsa Zv.Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi në fjalën e tij përshëndetëse nënvijëzoi se tashmë “Harta e Re Gjyqësore” është fakt dhe zbatimi i saj pritet të sjellë efekte dhe rezultate pozitive për sistemin gjyqësor.

Në këtë takim, ish-presidenti i CEPEJ Mr. Georg Stawa u shpreh i kënaqur nga rezultatet e arritura falë “Hartës së Re Gjyqësore” dhe theksoi rëndësinë që ka zbatimi i saj gjatë këtyre 5 viteve. Z. Stawa, gjatë prezantimit të tij i kushtoi vëmendje të veçantë mjeteve dhe praktikave më të mira të CEPEJ lidhur me menaxhimin e kohës gjyqësore si dhe trajtimin e stokut të çështjeve të prapambetura, duke nënvijëzuar rëndësinë e bashkëpunimit në kuadër të shkëmbimit të përvojave në këtë drejtim.

Në vijim të takimit, fjalën e morën përfaqësuesit e dy këshillave të cilët trajtuan çështje me interes të përbashkët. Znj. Brikena Ukperaj, nga Këshilli i Lartë Gjyqësor u ndal tek sfidat e Këshillit për reduktimin e stokut të çështjeve të prapambetura duke identifikuar masat e marra në këtë drejtim si dhe impaktin e tyre në sistemin gjyqësor përmes analizimit të indikatorëve të eficencës.

Një tjetër temë me rëndësi të veçantë, e cila u elaborua nga znj. Marcela Shehu, anëtarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor e caktuar për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun ishte roli i këshillave në forcimin e marrëdhënieve me median dhe publikun. Znj. Shehu, hodhi dritë mbi arritjet e Këshillit në këtë drejtim duke projektuar gjithashtu edhe nevojat e vazhdueshme për përmirësime në të ardhmen të cilat janë të domosdoshme në epokën dixhitale që po jetojmë.

Takimi u përmbyll me diskutimet e dy këshillave mbi sfidat e përbashkëta si dhe gjetjes së mekanizmave të duhur për zgjidhjen e tyre.

 

Back to top