Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Sot, më datë 5 prill 2023, dy anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Klodian Kurushi dhe z. Dritan Hallunaj pritën në një takim zyrtar pune një delegacion nga Britania e Madhe

Sot, më datë 5 prill 2023, dy anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Klodian Kurushi dhe z. Dritan Hallunaj pritën në një takim zyrtar pune një delegacion nga Britania e Madhe, i përbër nga përfaqësues nga Ministria e Jashtme, Shërbimi i Provës dhe Burgjeve, Departamenti për Punët e Brendshme, si dhe Atasheu për Punët e Brendshme dhe Çështjet e Drejtësisë pranë Ambasadës Britanike në Tiranë.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut mbi transferimin e personave të dënuar, në fuqi që prej majit të vitit 2022.

Dy anëtarët e Këshillit nga rradhët e gjyqësorit, me përvojë profesionale të konsoliduar në fushën e së drejtës penale, Z. Kurushi, në cilësinë edhe të Kryetarit të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës dhe Z. Hallunaj, Kryetar i Komisionit të përkohshëm për vlerësimin etik dhe profesional (në kuadër të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve) trajtuan sfidat dhe mundësitë që lindin nga zbatimi praktik i kësaj marrëveshjeje.

Pjesëmarrësit në takim shkëmbyen eksperienca dhe mendime mbi mekanizmat e mundshëm të cilat mund të sjellin një zbatim më të mirë të marrëveshjes së transferimit të personave të dënuar nga Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut në Shqipëri, sidomos nga perspektiva e reduktimit të afateve kohore të këtij procesi. Zhvillimi me ekspertizën britanike të një kurrikule të dedikuar për trajnimin e trupës gjyqësore në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës, krijimi i një rrjeti të gjyqtarëve penalist me fokus në trajtimin e çështjeve të transferimit si dhe krijimi i një liste prioritare për këto lloj çështjesh ishin disa nga sugjerimet e diskutuara në takim.

Në mbyllje të diskutimit, palët u shprehen se mbeten të hapur për të vijuar me tej bashkëpunimin në kuadër jo vetëm të zbatimit praktik të marrëveshjes së transferimit por edhe forcimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri.

 

Back to top