Njoftim për shtyp, datë 13 Mars 2023
Sot, në datën 13.03.2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës ku shqyrtoi çështjet si vijon:
Këshilli miratoi vendimin për rishpërndarjen e mjeteve të transportit (autovetura dhe motoçikletë), në disa gjykata.
Me kërkesë të disa gjykatave, Këshilli vendosi nxjerrjen nga përdorimi të disa aktiveve.
Në respektim të dispozitave ligjore, Këshilli vendosi për transferimin e gjyqtarit z. Ardit Mustafaj në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në një pozicion të lirë në fushën e së drejtës penale.
Këshilli vendosi mbarimin e statusit të magjistratit për z. Ded Miri, gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për shkak të mbushjes së moshës së pensionit të pleqërisë.
Në vijim, Këshilli vendosi shpalljen e pozicioneve të lira për të diplomuarin z. Albert Keraj, në përfundim të programit trevjeçar të formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, në vitin akademik 2021-2022 dhe të emëruar gjyqtar më datë 06.03.2023, si më poshtë:
• një pozicion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë;
• një pozicion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë;
• një pozicion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë;
• një pozicion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Përmet.
Gjithashtu, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit në procedurat e lëvizjeve paralele në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë e Durrës, të shpallura me vendimet nr. 11; 12; 13; 14; 15; 16; 17; 18; 19; 20; 21; 22; 23 dhe 24, datë 18.01.2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Këshilli miratoi opinionin mbi kandidatët që kanë aplikuar për t’u komanduar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Këshilli vendosi caktimin e datës 05.04.2023, ora 11:30, për zhvillimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për fillimin e procedimit disiplinor nr. 1/2023, ndaj magjistratit, {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…} dhe caktimin e datës 05.04.2023, ora 12:00, për zhvillimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për fillimin e procedimit disiplinor nr. 2/2023, ndaj magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.
Pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.