Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Sot më datë 1 shkurt 2023, pranë ambienteve të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami zhvilloi takimin me temë “Zbatimi i Hartës së Re Gjyqësore”

Sot më datë 1 shkurt 2023, pranë ambienteve të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami zhvilloi takimin me temë “Zbatimi i Hartës së Re Gjyqësore”, i cili shënon fillimin e funksionalitetit të kësaj gjykate në zbatim të VKM-së nr. 495, datë 21.07.2022 “Për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave”.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Brikena Ukperaj dhe z. Ridvan Hado, Zëvendëskryetarja e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm znj. Valdete Hoxha, Drejtori i Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, z. John C.Kastning, si dhe gjyqtarë në funksion pranë kësaj gjykate.

Në fjalën e saj, znj.Naureda Llagami deklaroi se nga sot nis funksionalitetin e plotë Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm e cila do të lejojë mundësinë e krijimit të dy seksioneve në këtë gjykatë, seksioni civil dhe seksioni penal duke bërë që të evadohet në kohë backlogu dhe qytetarët të marrin një shërbim më cilësor.

“Pa diskutim që qytetari nuk do të ketë më dështime të seancave siç ndodhte më parë për shkak të mungesave të trupës dhe mosplotësimit të trupës gjyqësore. Sipas llogaritjeve, çdo gjyqtar i kësaj gjykate do të ketë rreth 1080 çështje. Pra, çdo gjyqtar këtu ka më pak çështje se sa ka një gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë që ka shkuar në 1500 çështje. Që do të thotë që puna që ne do bëjmë këtu dhe mbështetja që do të kemi këtu padyshim që do ketë një impakt të madh në uljen e dosjeve dhe dhënien e shërbimeve për qytetarët. KLGJ ka marrë masa për staf administrativ cilësor. Kemi shkuar në nivelin që një gjyqtar të ketë 5.5 staf administrativ që asiston”, tha znj. Llagami.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor siguroi qytetarët se me nisjen e punës së Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit, shërbimi gjyqësor në vend do të përmirësohet ndjeshëm.

Back to top