Njoftim për shtyp, Datë 22 Dhjetor 2022
Sot, në datën 22.12.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Këshilli vendosi për shtyrjen e seancës dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit z. {…}, aktualisht me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.
Më tej, Këshilli shqyrtoi kërkesat dhe më pas miratoi vendimet përkatëse për qëndrim në detyrë deri në moshën 70 vjeç të z. Fuat Vjerdha, gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Shkodër dhe z. Petrit Çomo, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për dërgimin e emrave të kandidatëve të cilët kanë aplikuar për t’u komanduar, në pozicionin “Këshilltar” në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor pasi shqyrtoi projektaktin, miratoi vendimin mbi pakësimin e fondeve në sistemin gjyqësor, në zbatim të aktit normativ Nr. 17, datë 01.11.2022, për vitin 2022.
Ndërkohë, Këshilli miratoi vendimin për miratimin e kërkesës së z. Gentian Jahjolli, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për vijimin e ushtrimit të veprimtarisë së paguar jashtë funksionit.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi për caktimin e një gjyqtari për gjykimin e një çështjeje të veçantë në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme.