Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Miratohet Plani i Komunikimit për Gjykatat, Datë 02 Nëntor 2022

Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi më datë 02.11.2022, mbledhjen plenare të radhës në të cilën miratoi vendimin për Planin e Komunikimit për Gjykatat.
Ky plan komunikimi dy-vjeçar vjen në zbatim të Planit Strategjik të Komunikimit për Sistemin Gjyqësor, të miratuar më parë nga KLGJ dhe është i harmonizuar me misionin, vizionin dhe vlerat thelbësore të pushtetit gjyqësor. Ai shërben si një pikënisje për të strukturuar mënyrën se si gjykatat i përqasen publikut dhe aktorëve të tjerë të interesit gjatë një procesi komunikimi e ndërveprimi.
Hartimi i tij është udhëhequr nga standardet dhe parimet ndërkombëtare duke reflektuar praktikat më të mira të krijuara nga zbatimi i modeleve ekzistuese të planeve të komunikimit të gjykatave në rajon, nivel evropian e më gjerë.
Projektplani i Komunikimit u është dërguar për konsultim të gjithë gjykatave, gjyqtarëve të medias dhe njësisë përgjegjëse pranë KLGJ-së si dhe i është nënshtruar procesit të konsultimit dhe me partnerët ndërkombëtarë që mbështesin Këshillin.
“Plani i Komunikimit për Gjykatat” shoqërohet me një Plan Veprimi me ide dhe mjete praktike për ta bërë komunikimin më të lehtë, më të kuptueshëm dhe me sa më shumë ndikim në drejtim të rritjes së transparencës, nivelit të informimit, cilësisë së shërbimeve, profesionalizmit dhe për rrjedhojë, besimit të publikut në sistemin gjyqësor.
Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli, në kuadër të zbatimit dhe monitorimit të Planit të Veprimit, secila gjykatë do të përcaktojë punonjësin përgjegjës, i cili mund të jetë gjyqtari/nëpunësi për marrëdhënien me median dhe publikun, koordinatori i të drejtës së informimit ose çdo person tjetër i përcaktuar prej tyre me funksionet e marrëdhënies me median dhe publikun.
Nevoja për hartimin e këtij vendimi vjen në zbatim të detyrimeve ligjore të përcaktuara në nenin 91 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë,” ku parashikohet se KLGJ është përgjegjës për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit me publikun dhe median.
Plani i Komunikimit është produkt i bashkëpunimit të ngushtë të KLGJ me Qendrën ALTRI dhe me Projektin “Ulja e Numrit të Çështjeve të Prapambetura dhe Përmirësimi i Efikasitetit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë”, të zbatuar nga EWMI dhe të mbështetur nga INL, i cili ofron mbështetje teknike për KLGJ në përmbushjen e objektivave strategjikë.

 

Back to top