Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 27 Shtator 2022

Këshilli i Lartë Gjyqësor po vijon intensivisht punën për zbatimin e Hartës së re Gjyqësore. Bazuar në Urdhrin nr.80, datë 28.07.2022 të Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor  është ngritur dhe po funksionon pranë KLGJ, Grupi Ndërinstitucional i Punës (GNP) për ndjekjen dhe zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.495, datë 21.07.2022 “Për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave gjyqësore të gjykatave”, i cili duhet të përfundojë, brenda datës 30 Nëntor 2022, të gjitha aktet e nevojshme për zbatimin e Hartës së re Gjyqësore. Në përbërje të Grupit të Punës janë përfshirë përfaqësues nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, si dhe të partnerëve ndërkombëtarë që  po mbështesin KLGJ në këtë proces.

Gjithashtu, GNP është ngarkuar në marrjen e të gjitha masave të nevojshme për zbatimin e Hartës, brenda afateve të përcaktuara në VKM-në nr. 495, datë 21.07.2022 dhe konkretisht:

  1. Riorganizimi i gjykatave të apelit të juridiksionit të përgjithshëm, në datë 1.02.2023;
  2. Riorganizimi i gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm në datë 1.05.2023;
  3. Riorganizimi i gjykatave administrative të shkallës së parë, në datë 1.07.2023.

Në kuadër të këtyre atributeve, GNP ka vijuar punën duke zhvilluar mbledhje, në të cilat janë dakordësuar Plani i Veprimit dhe afatet kohore për çdo veprim, duke synuar përmbushjen në kohë dhe me efektivitet të procesit të riorganizimit të kompetencave tokësore të  gjykatave, sipas  fazave përkatëse. Shtyllat kryesore të punës përfshijnë burimet njerëzore, infrastrukturën dhe godinat, teknologjinë e informacionit, administrimin gjyqësor dhe informimin e publikut. Aktualisht po funksionojnë  6 (gjashtë) nëngrupe pune, të cilat janë angazhuar në hartimin e kuadrit nënligjor të nevojshëm për zbatimin e Hartës së  Re Gjyqësore.

Grupi i Punës do të vijojë punën intensive dhe në mbledhjet javore duke pasur në fokus të diskutimeve gjetjen e zgjidhjeve efikase, përmbushjen e veprimeve brenda afatit kohor të caktuar si dhe hartimin e kuadrit nënligjor të nevojshëm.

Synimi parësor i KLGJ-së mbetet bërja funksionale e gjykatave të riorganizuara me qëllim që qytetarët të vijojnë të marrin shërbime cilësore dhe në kohën e duhur.

 

Back to top