Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Këshilli i Lartë Gjyqësor merr pjesë në vizitën studimore në Dusseldorf, me fokus “Forcimi i efikasitetit të gjyqësorit administrativ në Shqipëri”

Në datat 26 – 30 shtator, Këshilli i Lartë Gjyqësor, përfaqësuar nga znj. Naureda Llagami, Kryetare dhe znj. Brikena Ukperaj, Kryertare e Komisionit të Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale, po merr pjesë në vizitën studimore me temë “Forcimi i efikasitetit të gjyqësorit administrativ në Shqipëri”, që po zhvillohet në Gjermani (Dusseldorf). Pjesëmarrës të tjerë në këtë vizitë janë edhe përfaqësues nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë dhe Durrës, Gjykata Administrative e Apelit, si dhe Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni shqiptar po zhvillon takime me përfaqësues nga Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit në Dusseldorf si dhe Ministrinë e Drejtësisë së Landit Nordrhein-Westfalen. Kjo vizitë ka për qëllim shkëmbimin e eksperiencave profesionale mes delegacionit shqiptar dhe atij gjerman mbi administrimin gjyqësor në gjykatat administrative si dhe mekanizmat për rritjen e efiçencës dhe cilësisë së shërbimeve për publikun. Delegacionet respektive po diskutojnë, ndër të tjera, edhe në lidhje me aspektet e administrimit të burimeve njerëzore si dhe ato infrastrukturore në këto gjykata me qëllim identifikimin e zgjidhjeve dhe të procedurave të cilat kanë rezultuar të provuara me sukses në praktikë.

Kjo vizitë u mundësua në kuadër të projektit të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ) me fokus “Forcimi i efikasitetit të gjyqësorit administrativ në Shqipëri”.

Back to top