Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

N j o f t i m për shpallje konkurimi për vend të lirë pune, nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele dhe të pranimit në shërbimin civil, në kategorinë ekzekutive.

Në zbatim të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” i ndryshuar, neni 22 dhe neni 25, si dhe VKM nr. 243, datë 18.3.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar, Kreu II, III, IV dhe VII, Këshilli i Lartë Gjyqësor, njofton shpalljen e konkurimit për vend të lirë pune nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele dhe të pranimit në shërbimin civil, për kategorinë ekzekutive (të dy procedurat zhvillohen në të njëjtën kohë), si më poshtë:

  • 1 (një) vend, në pozicionin Specialist, Sektori i Burimeve Njerëzore dhe Trajnimeve për Administratën (kategoria ekzekutive, III-b), në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, në Departamentin e Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Administrative, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.

 Kërkesa të përgjithshme, kandidati duhet të plotësojë të gjitha kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil, sipas nenit 21, të ligjit nr. 152/2013 ”Për nëpunësin civil”, i ndryshuar.

Përshkrimi i përgjithshëm i punës, për pozicionin Specialist, Sektori i Burimeve Njerëzore dhe Trajnimeve për Administratën, është si më poshtë:

  • Mbledh dhe përpunon informacionin mbi organikën e pushtetit gjyqësor. Krijon bazën e të dhënave të organikës të gjykatave, rifreskon në vazhdimësi organikën faktike të gjykatave;
  • Jep kontribut në planifikimin e burimeve njerëzore, për stafin administrativ, për pushtetin gjyqësor në kuadër të projektbuxhetit;
  • Detajon numrin e punonjësve të miratuar për pushtetin gjyqësor me ligjin e buxhetit;
  • Hedh të dhënat dhe përditëson Regjistrin Qendror të Personelit për nëpunësit civil të KLGJ-së, nëpunësit civil gjyqësor dhe punonjësit administrativë të gjykatave;
  • Regjistron statusin e nëpunësve në detyrë në administratën gjyqësore, brenda një jave pasi është dhënë vendimi dhe është informuar KLGJ;
  • Regjistron statusin e kancelarëve në detyrë, nëpunësve civilë në detyrë në Gjykatën e Lartë, këshilltarëve dhe ndihmësve ligjorë në detyrë dhe punonjësve të tjerë në administratën gjyqësore;
  • Publikon shpalljen e konkurrimit të hapur për vendet e lira në shërbimin civil gjyqësor, si dhe fillimin e procedurave për ngritjen në detyrë dhe lëvizjen paralele;
  • Menaxhon listën e kandidatëve fitues për pozicionet në shërbimin civil gjyqësor;
  • Regjistron nëpunësit civil gjyqësor në listë deri në sistemimin në një pozicion të përshtatshëm në rastet kur nëpunësi civil gjyqësor kërkon transferimin në një institucion tjetër të shërbimit civil gjyqësor për shkaqe shëndetësore ose të konfliktit të interesit;
  • Ndjek plotësimin e pozicioneve të lira në institucion për pranimin e nëpunësve civil, lëvizjen paralele, ngritje në detyrë, kualifikimin dhe largimin nga puna;
  • Identifikon nevojat për trajnim dhe zhvillim brenda nëpunësve civil të institucionit nëpërmjet analizave të punës, skemave të vlerësimit dhe konsultimit të rregullt me drejtuesit; projektimin dhe zgjerimin e trajnimit dhe zhvillimit të programeve të bazuara në nevojat; hulumtimin e teknologjive të reja dhe metodologji së të mësuarit në vendin e punës;
  • Bashkëpunon me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA) për trainimin e nëpunësve civil të institucionit;
  • Administron dosjet e personelit sipas dispozitave ligjore në fuqi;
  • Përpunon, sistemon dhe përmbledh në regjistra të dhënat statistikore për personelin, sipas modularëve të miratuar, dhe mban regjistrin qendror të tij. Rifreskon, sipas rastit, dosjet personale dhe bën shënimet në librezat e punës së personelit;
  • Mbledh dokumentacionin përkatës për personat e emëruar për herë të parë dhe hap dosjet personale;
  • Ruan konfidencialitetin e veprimeve ndaj personelit, deri në vendimin zyrtar sipas ligjeve në fuqi, si dhe të dosjes së personelit që administron;
  • Ndjek hartimin e kontratave të punës dhe plotëson dokumentacionin përkatës për punonjësit;
  • Ndjek procedurën e vlerësimit të performancës për vlerësimin e rezultateve individuale të punës për nëpunësit civil, në bashkëpunim me raportuesit;
  • Ndjek frekuentimin e punonjësve, përgatit dhe përcjell në financë listëprezencën mujore;
  • Ndjek planifikimin dhe realizimin e lejeve vjetore të pagueshme të punonjësve;
  • Kontribuon në hartimin dhe azhornimin e rregullores së Institucionit dhe ndjek zbatimin e saj;
  • Evidenton lëvizjet në institucion, raporton tek eprori frekuentimin mujor të punonjësve;
  • Pajis punonjësit e rinj me Ligjin “Për rregullat e Etikës në Administratën Publike” dhe dispozitat e tjera ligjore mbi të cilën funksionon Institucioni;
  • Siguron informacion të përditësuar, përpilon shkresa, analiza, informacione për organikat e gjykatave dhe problemet e lidhura me to, për njësitë e interesuara dhe Institucionet respektive;
  • Jep kontribut në ofrimin e informacionit për përpilimin e raportimeve, dokumenteve apo planeve strategjike për Pushtetin Gjyqësor;
  • Zbaton të gjitha detyrat e tjera të paplanifikuara dhe që mund të ngarkohen nga eprori, apo detyrat e dala nga bashkëpunimi ndërsektorial;
  • Jep kontribut në hartimin e raportimeve dhe planit të veprimit për përmirësimin e funksionimit të sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit në gjykata;
  • Përgatit materiale, sipas tematikës së kërkuar;
  • Brenda fushës që mbulon, ndjek detyra që nuk janë parashikuar dhe që i ngarkohen nga eprorët e drejtpërdrejtë sipas hierarkisë.

 

I. KONKURIMI, NËPËRMJET PROCEDURËS SË LËVIZJES PARALELE.

 (Për këtë procedurë kanë të drejtë të aplikojnë vetëm nëpunësit civilë të së njëjtës kategori, nga të gjitha institucionet pjesë e shërbimit civil).

 I.1. Kushtet minimale për plotësimin e vendit të lirë me procedurën e lëvizjes paralele, janë si më poshtë:

  • Të jetë nëpunës civil i konfirmuar, brenda së njëjtës kategori ose të barasvlefshme (kategoria ekzekutive, dokument nga institucioni);
  • Të mos ketë masë disiplinore në fuqi, (dokument nga institucioni);
  • Të ketë të paktën vlerësimin e fundit të rezultateve në punë, “mirë” apo “shumë mirë”;
  • Të plotësojë kriteret e veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurim.

 I.2. Kërkesat e veçanta për pozicionin Specialist, Sektori i Burimeve Njerëzore dhe Trajnimeve për Administratën, janë si më poshtë:

  • Të zotërojë diplomë të nivelit Master Shkencor (ose të barazvlefshme), në Shkenca Juridike. Diploma e nivelit Bachelor, duhet të jetë e të njëjtës fushë;
  • Të ketë jo më pak se 1 (një) vit, eksperiencë pune në profesion ose të paktën 1 (një) vit përvojë, të njohur si praktikë profesionale në drejtësi.
  • Të ketë njohuri të një gjuhe të BE (me dokument);
  • Të ketë aftësi të mira profesionale, organizative, etikë të lartë, komunikimi dhe të punës në grup.

I.3. Kandidati duhet të paraqesë zyrtarisht, brenda datës 23.09.2022, me postë në adresën Këshilli i Lartë Gjyqësor, Adresa; Rruga: “Ana Komnena”, godina Poli i Drejtësisë, Tiranë, ose elektronikisht në adresën e email: burimenjerezore@klgj.al, kopje të dokumenteve të mëposhtëm:

  • Kërkesë motivimi për aplikim në vendin e punës që konkurron;
  • Jetëshkrim i plotësuar në përputhje me dokumentin tip që e gjeni në linkun: http://www.dap.gov.al/legjislacioni/udhezime-manuale/60-jeteshkrimi-standard
  • Fotokopje të diplomës dhe listës së notave (për diplomat jashtë vendit, të përcillet njehsimi nga MAS);
  • Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  • Dokument për kategorinë në shërbimin civil (kategoria ekzekutive, me dokument nga institucioni);
  • Dokument që nuk ka masë disiplinore në fuqi (dokument nga institucioni);
  • Vlerësimin e fundit të rezultateve në punë;
  • Fotokopje të çertifikatave të kualifikimit (nëse ka);
  • Vetëdeklarim për vërtetimin e gjendjes gjyqësore, sipas linkut https://www.drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2018/10/formulari-i-vetdeklarimit_gjendja-gjyqesore.pdf
  • Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  • Dokumentacion tjetër, mbi trajnimet, kualifikimet (nëse ka);
  • Dëshmi të njohurive të gjuhës së huaj (me dokument);
  • Fotokopje e kartës së identitetit/pasaport;
  • Kontaktet (numër telefoni dhe adresë email) dhe adresën e plotë të vendqëndrimit.

Mosparaqitja e plotë e dokumenteve të sipërcituara, sjell skualifikimin e kandidatit.

I.4. Konkurimi është i hapur për nëpunësit civil të të njëjtës kategori me procedurat e lëvizjes paralele dhe do të zhvillohet në dy faza;

I.4.1. Verifikimi paraprak, i përmbushjes së kushteve minimale dhe kërkesave të veçanta në shpalljen për konkurim, për procedurën e lëvizjes paralele, do të kryhet brenda datës 26.09.2022, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe brenda ditës do të shpallet lista e kandidatëve që plotësojnë kushtet për lëvizjen paralele dhe kërkesat e veçanta në shpalljen për konkurim.

(Në të njëjtën datë kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet e lëvizjes paralele dhe kriteret e veçanta do të njoftohen individualisht nga njësia e përgjegjëse e burimeve njerëzore, për shkaqet e moskualifikimit (nëpërmjet adresës së e-mail-it).

I.4.2. Intervista e strukturuar me gojë, me kandidatët fitues të fazës së parë, do të zhvillohet më datë 05.10.2022, ora 11.00, pranë ambienteve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

I.4.3. Fusha e njohurive, aftësitë dhe cilësitë që do të vlerësohen në intervistë janë mbi;

  • Ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të RSH”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësit civil”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij;
  • Ligjin nr. 7850, datë 29.07.1994 “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”;
  • Vendimin nr. 622, datë 10.12.2020 “Për lëvizjen paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqësor” të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
  • Udhëzimin nr. 85, datë 11.03.2021 “Për procesin e plotësimit të vendeve të lira në shërbimin civil gjyqësor nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, ngritjes në detyrë dhe pranimit nëpërmjet konkurrimit të hapur” të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
  • Ligjin nr. 9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat etike në administratën publike”.

I.4.4. Vlerësimi i kandidatëve do të bëhet sipas kërkesave të VKM nr. 243, datë 18.3.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, Kreu VII, pika 18 dhe 19 dhe Udhëzimit nr. 2, datë 27.3.2015, “Për procesin e plotësimit të vendeve të lira në shërbimin civil nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele dhe për pranimin në shërbimin civil, në kategorinë ekzekutive nëpërmjet konkurimit të hapur” të DAP-it, ku në fillim do të vlerësohet për dokumentacionin e dorëzuar, më pas do të vlerësohet intervista e strukturuar me gojë.

I.5. Data e daljes së rezultateve do të njoftohet në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe portalin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

I.6. –Njoftimi dhe komunikimi me kandidatët do të jetë nëpërmjet telefonit dhe adresës së e-mail të kandidatit.

 

II. KONKURIMI, NËPËRMJET PROCEDURËS SË PRANIMIT NË SHËRBIMIN CIVIL.

(Vetëm në rast se pozicioni i lirë i shpallur, në përfundim të procedurës së lëvizjes paralele, nuk është plotësuar, pra rezulton i lirë, atëhere ai është i vlefshëm për konkurimin nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil. Këtë informacion do ta merrni në faqen zyrtare të internetit, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke filluar nga data 14.10.2022).

 II.1. Kushtet e përgjithshme, kandidati duhet të plotësojë të gjitha kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil, sipas nenit 21, të ligjit nr. 152/2013 ”Për nëpunësin civil”, i ndryshuar.

  • Të jetë shtetas shqiptar.
  • Të ketë zotësi për të vepruar.
  • Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhë të folur.
  • Të jetë në kushtet shëndetësore që lejojnë kryerjen e detyrës përkatëse.
  • Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje.
  • Të mos jetë marrë masë displinore e largimit nga shërbimi civil dhe që nuk është shuar sipas ligjit 152/2013, “Për shërbimin civil”, i ndryshuar.

 II.2. Kërkesat e veçanta, për pozicionin Specialist, Sektori i Burimeve Njerëzore dhe Trajnimeve për Administratën, janë si më poshtë:

  • Të zotërojë diplomë të nivelit Master Shkencor (ose të barazvlefshme), në Shkenca Juridike. Diploma e nivelit Bachelor, duhet të jetë e të njëjtës fushë;
  • Të ketë të paktën 1 (një) vit, eksperiencë pune në profesion ose mbi 1 (një) vit përvojë, të njohur si praktikë profesionale në drejtësi.
  • Të ketë njohuri të një gjuhe të BE (me dokument);
  • Të ketë aftësi të mira profesionale, organizative, etikë të lartë, komunikimi dhe të punës në grup.

 II.3. Kandidati duhet të paraqesë zyrtarisht, brënda datës 28.09.2022, me postë në adresën Këshilli i Lartë Gjyqësor, adresa; Rruga: “Ana Komnena”, godina Poli i Drejtësisë, Tiranë, ose elektronikisht në adresën burimenjerezore@klgj.al, kopje të dokumenteve të mëposhtëm:

  • Kërkesë motivimi për aplikim në vendin e punës që konkurron;
  • Jetëshkrim i plotësuar në përputhje me dokumentin tip që e gjeni në linkun: http://www.dap.gov.al/legjislacioni/udhezime-manuale/60-jeteshkrimi-standard
  • Fotokopje të diplomës dhe listës së notave (për diplomat jashtë vendit, të përcillet njehsimi nga MAS);
  • Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  • Fotokopje të çertifikatave të kualifikimit;
  • Vetëdeklarim për vërtetimin e gjendjes gjyqësore, sipas linkut https://www.drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2018/10/formulari-i-vetdeklarimit_gjendja-gjyqesore.pdf
  • Vërtetim nga gjykata dhe prokuroria;
  • Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  • Dokumentacion tjetër, mbi trajnimet, kualifikimet (nëse ka);
  • Dëshmi të njohurive të gjuhës së huaj (me dokument);
  • Fotokopje e kartës së identitetit/pasaport;
  • Kontaktet (numër telefoni dhe adresë email) dhe adresën e plotë të vendqëndrimit.

Mosparaqitja e plotë e dokumentave të listuara më sipër, sjell skualifikimin e kandidatit.

II.4. Konkurimi është i hapur për kandidatët nga jashtë shërbimit civil me të paktën 1 (një) vit eksperiencë pune në profesion, që plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe kërkesat e veçanta për vendin e lirë.

II.4.1. Verifikimi paraprak, i përmbushjes së kushteve të përgjithshme dhe kërkesave të veçanta, në shpalljen për konkurim, për procedurën e pranimit nga jashtë shërbimit civil, do të kryhet brenda datës 14.10.2022, dhe brenda ditës do të shpallet lista e kandidatëve që plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe kërkesat e veçanta, përcaktuar në shpallje.

II.4.2. Kandidatët që plotësojnë kushtet minimale edhe kërkesat e posaçme në shpalljen, do të marrin informacion në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe portalin e Shërbimi Kombëtar i Punësimit, duke filluar nga data 14.10.2022, për fazat e mëtejshme që i përkasin kësaj procedure konkurrimi:

  • Për verifikimin paraprak.
  • Për datë, orën dhe vendin e zhvillimit të testimit me shkrim dhe intervistës.
  • Për mënyrën e vlerësimit të kandidatëve konkurues.
  • Për datën e daljes së rezultateve.

II.4.3. Fusha e njohurive, ku do të vlerësohen njohuritë, aftësitë dhe cilësitë janë:

II.4.3.a. Kandidatët në testimin me shkrim, do të vlerësohen në lidhje me njohuritë mbi; 

  • Ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të RSH”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësit civil”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij;
  • Ligjin nr. 7850, datë 29.07.1994 “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
  • Ligjin nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”;
  • Vendimin nr. 622, datë 10.12.2020 “Për lëvizjen paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqësor” të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
  • Udhëzimin nr. 85, datë 11.03.2021 “Për procesin e plotësimit të vendeve të lira në shërbimin civil gjyqësor nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, ngritjes në detyrë dhe pranimit nëpërmjet konkurrimit të hapur” të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
  • Ligjin nr. 9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat etike në administratën publike”.

II.4.3.b. Kandidatët në intervistën e strukturuar me gojë do të vlerësohen, në lidhje me njohuritë mbi; bazën ligjore të sipërcituar, si dhe njohuritë, aftësitë, kompetencat mbi përshkrimin e pozicionit të punës, përvojën në punë, motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën.

II.4.4. Vlerësimi i kandidatëve do të bëhet në lidhje me:

  • Vlerësimin e testimit me shkrim, deri në 60 pikë,
  • Vlerësimi i intervistës së strukturuar me gojë, që konsiston në njohuritë, aftësitë, kompetencat për përshkrimin e pozicionit të punës, përvojën në punë motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën, deri 25 pikë,
  • Jetëshkrimin, që konsiston në arsimimin, përvojën në punë, trajnimet apo kualifikimet, të lidhura me fushën, deri 15 pikë.

Mënyra e vlerësimit do kryhet sipas VKM nr. 243, datë 18.3.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar dhe Udhëzimit nr. 2, datë 27.3.2015, “Për procesin e plotësimit të vendeve të lira në shërbimin civil nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë, për kategorinë e mesëm dhe të ulët drejtuese dhe pranimin në shërbimin civil, në kategorinë ekzekutive nëpërmjet konkurrimit të hapur” të DAP-it.

II.5. Data e daljes së rezultateve të konkurrimit dhe mënyra e komunikimit;

II.5.1. Data e daljes së rezultateve, të gjithë kandidatët pjesëmarrës do të njihen me to duke vizituar faqen zyrtare të internetit, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga data 14.10.2022.

II.5.2, Njoftimi dhe komunikimi me kandidatët do të jetë nëpërmjet telefonit dhe adresës së email të kandidatit.

II.5.3, Të gjithë kandidatët që aplikojnë për konkurrimin nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil, do të marrin informacion në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke filluar nga data 14.10.2022, për fazat e mëtejshme që i përkasin kësaj procedure konkurimi.

 

Tiranë, më datë 08.09.2022

Njoftim mbi rezultatet e verifikimit paraprak për lëvizje paralele në kategorinë ekzekutive.

Bazuar në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, neni 25 dhe VKM nr. 243, datë 18.03.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar, kreu VII, pika 9, në përfundim të verifikimit paraprak të kandidatëve, për përmbushjen e kushteve të lëvizjes paralele dhe kërkesave të veçanta të përcaktuara në shpalljen për konkurim, për pozicionin Specialist, Sektori i Burimeve Njerëzore dhe Trajnimeve për Administratën (kategoria ekzekutive, III-b), në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, në Departamentin e Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Administrative, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ju njoftojmë se:

-Kandidati i kualifikuar për të vazhduar konkurimin sipas procedurës së lëvizjes paralele, është:

– Gentijana Veselaj,

Intervista e strukturuar me gojë, do të zhvillohet më datë 05.10.2022, ora 11.00, pranë ambienteve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

 

Tiranë, më datë 26.09.2022

 

Njoftim mbi rezultatet e konkurrimit sipas procedurës së lëvizjes paralele në kategorinë e ekzekutive.

Bazuar në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, neni 25 dhe VKM nr. 243, datë 18.03.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar, kreu VII, pika 21, në përfundim të konkurrimit sipas procedurës së lëvizjes paralele për pozicionin Specialist, Sektori i Burimeve Njerëzore dhe Trajnimeve për Administratën (kategoria ekzekutive, III-b), në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, në Departamentin e Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Administrative, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ju njoftojmë se;

Procedura e lëvizjes paralele mbyllet pa kandidatë të përzgjedhur fitues dhe vendi vakant është i vlefshëm për konkurimin nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil.

 

Tiranë, më datë 10.10.2022

 

Njoftim mbi rezultatet e verifikimit paraprak dhe vazhdimit të konkurimit sipas procedurës së pranimit në shërbim civil, për kategorinë ekzekutive.

Bazuar në ligjin nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, neni 22 dhe VKM nr. 243, datë 18.3.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar, kreu II, në përfundim të verifikimit paraprak të kandidatëve, për përmbushjen e kushteve minimale dhe kërkesave të veçanta për pranimin në shërbim civil, të përcaktuara në shpalljen për konkurim, për 1 (një) vend, në pozicionin Specialist, Sektori i Burimeve Njerëzore dhe Trajnimeve për Administratën (kategoria ekzekutive, III-b), në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, në Departamentin e Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Administrative, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ju njoftojmë se:

-Kandidati i kualifikuar për të vazhduar konkurimin sipas procedurës së pranimit në shërbim civil, është:

  1. Marko Brinja,

-Testimi me shkrim, ku do të vlerësohen njohuritë në lidhje me bazën ligjore të shpallur në fazën e parë, do të zhvillohet më datë 25.10.2022, ora 10.00, pranë ambienteve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

– Njoftimi dhe komunikimi me kandidatët, për rezultatin e testimit me shkrim, për procesin e vlerësimit të jetëshkrimit dhe zhvillimit të intervistës së strukturuar me gojë, do të jetë nëpërmjet adresës së email të secilit kandidat.

 

Tiranë, më datë 14.10.2022

Shpallje listën fituese.

Në zbatim të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” i ndryshuar, VKM nr. 243, datë 18.3.2015 “Për pranimin, lëvizjen paralele, periudhën e provës dhe emërimin në kategorinë ekzekutive”, i ndryshuar, Kreu IV, pika 14, në përfundim të konkurrimit të hapur sipas procedurës së pranimit nga jashtë shërbimit civil, për 1 (një) vend, në pozicionin Specialist, Sektori i Burimeve Njerëzore dhe Trajnimeve për Administratën (kategoria ekzekutive, III-b), në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, në Departamentin e Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Administrative, pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ju dërgojmë për publikim, listën fituese si më poshtë:

1. Marko Brinja 72.80 pikë,

 

Tiranë, më datë 26.10.2022

Back to top