Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Këshilli i Lartë Gjyqësor merr pjesë në takimin shpjegues të organizuar nga Komisioni Evropian

Në kuadër të procesit të negociatave të Shqipërisë me BE, Këshilli i Lartë Gjyqësor, i përfaqësuar nga znj. Baisa Sefa, Këshilltare Kabineti dhe znj. Lorena Gerveni, Drejtore e Drejtorisë së  Marrëdhënieve me Publikun, me Jashtë dhe Botimet, ishte pjesë e delegacionit shqiptar, në takimin shpjegues, të organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian, mbi kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”.

Delegacioni shqiptar kryesohej nga znj. Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociator dhe përfaqësohej nga Ministria e Drejtësisë, si institucioni negociues për kapitullin 23, si dhe nga përfaqësues të institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Ekipi teknik i Komisionit Evropian, i  paraqiti  delegacionit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut parimet, standardet dhe kërkesat e BE-së për sistemin gjyqësor mbi pavarësinë e gjyqësorit, cilësinë dhe efiçencën e tij; emërimi, promovimi dhe vlerësimi i magjistratëve; llogaridhënia e magjistratëve në kuadër të procedimeve disiplinore; trajnimi gjyqësor; kërkesat e legjislacionit të Bashkimit Evropian përkundrejt atij kombëtar; mospërputhja me parimet e BE; instrumentet e matjes së standardeve, e më tej edhe për politikat antikorrupsion, mbrojtjen e të dhënave personale, mosdiskriminimin, të drejtat e fëmijëve, barazinë gjinore dhe lirinë e medias.

Takimi shpjegues i zhvilluar, në datë 27.09.2022 në Bruksel, është faza e parë e procesit të shqyrtimit (screening), që përfshin gjithë spektrin e politikave dhe legjislacionit të BE-së. Ky proces u mundëson vendeve kandidate të familjarizohen me ligjet dhe standardet e kërkuara nga BE-ja së bashku me detyrimet që ato mbartin.

Faza e dytë do jenë takimet dy palëshe, ku secili vend kandidat ftohet nga Komisioni Evropian të paraqesë sipas kapitullit të caktuar, ecurinë e përgatitjeve të tij për miratimin dhe zbatimin e trupës së ligjeve të BE-së.

Komisioni Evropian do të vlerësojë dhe do t’i raportojë Këshillit për shkallën e gatishmërisë, planet apo përgatitjet e një vendi kandidat mbi përafrimin me standardet e kërkuara.

 

Back to top