Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, prezantoi në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në seancë plenare, Raportin mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2021.

Sot në datën 14.07.2021, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, prezantoi në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në seancë plenare, Raportin mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2021.

Znj. Llagami njohu deputetët me një panoramë gjithëpërfshirëse të veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili gjatë vitit 2021 u angazhua maksimalisht jo vetëm për të ruajtur ritmin e veprimtarisë së tij në kuadër të përmbushjes së kompetencave kushtetuese, ligjore edhe strategjike, por mbi të gjitha për të garantuar funksionalitetin e gjykatave në funksion të ofrimit të shërbimeve gjyqësore për publikun. Tashmë Këshilli ka hyrë në një fazë konsolidimi, duke pasur parasysh qasjen largpamëse që po ndjek në kuadër të miradministrimit të sistemit gjyqësor, duke garantuar kështu themele të forta për sistemin dhe vijueshmërinë e tij në të ardhmen.

Fjala e plotë e Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami:

 E nderuar Kryetare,

Të nderuar deputetë,

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka hyrë tashmë në vitin e katërt të funksionimit si institucioni qeverisës i gjyqësorit. Rrugëtimi i Këshillit gjatë tre viteve që lamë pas ka qenë i mbushur me sfida të qenësishme me qëllim arritjen e menaxhimit të një sistemi gjyqësor sa më të pavarur dhe efiçent, e për të garantuar një drejtësi efikase dhe pa vonesa për qytetarët.

Raporti i përgatitur, të cilin ju e keni tanimë në dispozicion, përveç pasqyrimit të veprimtarisë së KLGJ përgjatë vitit 2021 ofron edhe një përshkrim analitik dhe të detajuar të situatës dhe funksionimit të sistemit gjyqësor.

Natyrisht që veprimtaria e Këshillit gjatë vitit 2021 është përqendruar më së shumti në ato pika nevralgjike të sistemit të cilat kishin nevojë për vëmendje të shtuar. Këto prioritete të punës sonë adresojnë si rekomandimet e Kuvendit ashtu edhe ato të raport progresit të BE, sugjerimet që na vijnë nga brenda sistemit, partnerët  (shoqëria civile e projektet e asistencës) por edhe qytetarët.

  •  Më konkretisht, prioriteti kryesor i Këshillit të Lartë Gjyqësor edhe për vitin 2021 ka qenë përmbyllja sa më shpejt e procedurave për ngritjen në detyrë të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. Në këtë mënyrë, Këshilli iu përgjigj edhe rekomandimit nr. 1 të Rezolutës së Kuvendit për KLGJ-në si dhe atë në progresraportin e BE.

Përtej vështirësive, në vitin 2021, KLGJ-ja plotësoi Gjykatën e Lartë me 6 gjyqtarë të tjerë duke e çuar në 9 gjyqtarë numrin total të tyre. Plotësimi i Gjykatës së Lartë me 9 (nëntë) anëtarë bëri të mundur funksionalizimin e plotë të saj. Ndërkaq, gjatë vitit 2022 janë dekretuar nga Presidenti edhe 4 anëtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë, duke e çuar në 13 numrin total të tyre. Aktualisht KLGJ, ka propozuar për emërim 2 kandidatë të tjerë nga radhët e gjyqësorit duke bërë të mundur që numri i gjyqtarëve në këtë gjykatë të jetë 15. 

Nga ana tjetër, KLGJ ka hapur edhe 4 pozicionet e tjera në Gjykatën e Lartë, të cilat janë në proces. Duhet të mbajmë parasysh, që plotësimi i vendeve vakante të shpallura është i ndërvarur nga përfundimi i procesit të rivlerësimit kalimtar dhe nga shqyrtimi i ankimeve gjyqësore të kandidatëve. Është e pritshme që deri në përfundim të këtij viti, të realizojmë plotësimin e plotë të vendeve vakante.

  • Ndërkaq, një tjetër përparësi, referuar edhe rekomandimit nr.2 të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, për vitin 2021, ishte plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

E çmoj të rëndësishme të sjell në vëmendjen tuaj se ajo që vihet re si në Gjykatën e Posaçme të Apelit ashtu edhe në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë është interesi i ulët që kanë treguar gjyqtarët për të aplikuar në pozicionet e lira të shpallura në këto gjykata.

Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u hapën gjatë vitit 2021, 5 pozicione të lira për të cilat kanë kandiduar 4 kandidatë. Për sa i përket emërimeve, gjatë vitit 2021 janë emëruar 4 kandidatë nga të cilët 3 kishin aplikuar për 3 vendet e lira të hapura gjatë vitit 2020 dhe 1 kandidat është emëruar për 1 vend të lirë të hapur gjatë vitit 2021. Ndërkohë që vijon procedura për 4 pozicione të lira. Aktualisht në këtë gjykatë janë të emëruar 8 nga 11 gjyqtarë që ka organigrama.

Nga ana tjetër, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u hapën gjatë vitit 2021, 8 pozicione të lira ku vetëm për 5 pozicione kanë aplikuar 5 kandidatë dhe për 4 prej tyre vijon procedura e ngritjes në detyrë, ndërsa 1 prej tyre është tërhequr nga kandidimi. Për 3 pozicione të lira të shpallura nuk ka aplikuar asnjë kandidat. Për sa i përket emërimeve, gjatë vitit 2021 janë emëruar 2 gjyqtarë të cilët kishin kandiduar për 2 vendet e lira të hapura gjatë vitit 2020. Aktualisht në këtë gjykatë janë të emëruar 7 nga 16 gjyqtarë që ka organigrama. 5 prej tyre janë emëruar, ndërsa 2 gjyqtarë janë caktuar nëpërmjet skemës së delegimit.

  •  Lidhur me rekomandimin nr.3 të Kuvendit në Rezolutën e vjetshme, për formalizimin e propozimit të përbashkët me Ministrinë e Drejtësisë për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave, ju informojmë se më datë 16.10.2021 është zhvilluar me Ministrin e Drejtësisë një takim për të diskutuar mbi draft-projektin e Hartës së Re Gjyqësore dhe projekt – planin e punës për finalizimin e një propozimi të përbashkët. Finalizimi dhe zbatimi i hartës së re gjyqësore ishte edhe një nga rekomandimet e raport progresit të BE për vitin 2021.

Ndërkaq, më datë 28.12.2021, është prezantuar projekt propozimi i përbashkët me Ministrinë e Drejtësisë për Hartën e Re Gjyqësore, produkt pothuajse 3 vjeçar i grupit ndër-institucional të punës.

Ju bëj me dije se KLGJ po në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë përfunduan më 11 mars 2022, ciklin e konsultimeve publike mbi propozimin për Hartën e re Gjyqësore. Ky cikël prej 8 takimesh konsultative u zhvillua gjatë periudhës janar – mars 2022 dhe konsistoi në 6 konsultime me grupet e interesit që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në juridiksionet e gjykatave të apelit Vlorë, Gjirokastër, Shkodër, Korçë, Durrës dhe Tiranë, si dhe 2 takime me përfaqësues të shoqërise civile dhe komunitetin e biznesit. Në këto takime morën pjesë përfaqësues nga dhomat vendore të avokatisë, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, dhe gjyqtarë.

Opinionet dhe sugjerimet që kanë rezultuar nga ky cikël takimesh iu nënshtruan një procesi vlerësimi të përbashkët nga KLGJ–ja dhe Ministria e Drejtësisë, dhe më datë 10 qershor 2021, KLGJ me vendimin nr. 211, miratoi ‘Raportin vlerësues  dhe propozimin e grupit ndërinstitucional të punës mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave’ sipas të cilit Grupi Ndërinstitucional i Punës vendosi për riorganizimin e gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, nga 22 gjykata të rretheve gjyqësore në 13; Riorganizimin e gjykatave të apelit të juridiksionit të përgjithshëm, nga 6 gjykata apeli  në 1 Gjykatë Apeli të Juridiksionit të Përgjithshëm, që organizohet dhe funksionon në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, me seli në qytetin e Tiranës; Riorganizimin e gjykatat administrative të shkallës së parë, nga 6 gjykatat administrative në 2 gjykata të tilla, me seli në Lushnje dhe Tiranë. KLGJ propozimin e miratuar ja ka përcjellë MD për të vijuar marrjen e mendimit nga PP, KLP dhe MF, dhe më tej të vijojnë me bashkëpropozimin në KM. Me miratimin e hartës së re gjyqësore, synohet t’i ofrohet qytetarëve, kudo që ndodhen, akses i barabartë dhe një sistem gjyqësor efikas.

  • Sa i përket rekomandimit nr.4 të Rezolutës, lidhur me angazhimin në rritjen profesionale të gjyqtarëve dhe administratës së gjykatës nëpërmjet mundësive të vazhdueshme për zhvillimin profesional duke bashkëpunuar ngushtësisht me Shkollën e Magjistraturës dhe ASPA-n. Konkretisht, gjatë vitit raportues, 174 gjyqtarë kanë marrë pjesë në trajnimet e programit vazhdues të zhvilluara nga Shkolla e Magjistraturës dhe 36 punonjës të gjykatave janë trajnuar lidhur me funksionet dhe detyrat e nëpunësit civil gjyqësor.

Gjatë vitit 2021, me vendimin nr. 97, datë 17.03.2021 është miratuar lista e pjesëmarrësve në aktivitete trajnuese të programit të formimit vazhdues për periudhën prill- korrik 2021. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Këshilli ka dhënë mendim lidhur me programin e formimit vazhdues për vitin 2021-2022, pasi i është dërguar draft programi përkatës nga Sh.M, duke propozuar tema që janë vlerësuar me interes për trajnimin e gjyqtarëve si dhe të administratës gjyqësore.

 

  • Po gjatë vitit 2021, Këshilli u angazhua gjithashtu në vazhdimin e plotësimit të paketës së akteve dhe vlerësimin etik-profesional të gjyqtarëve në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Referuar rekomandimit nr.5 të Kuvendit përmes Rezolutës së vjetshme, Këshilli ka miratuar paketën e akteve nënligjore të gjyqtarëve, që janë të komanduar si ndihmës magjistratë në Gjykatën e Lartë. Paketë kjo e përbërë nga 5 akte nënligjore.
  • Nga ana tjetër, në kuadër edhe të rekomandimit nr.6 të Kuvendit përmes Rezolutës së vjetshme, Këshilli vijoi bashkëpunimin me organet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve,
  • duke depozituar pranë KPK-së 70 raporte të analizimit të aftësive profesionale të shoqëruara me 350 dosje gjyqësore për 70 subjekte (gjyqtarë) të rivlerësimit kalimtar.
  • Nga fillimi i procesit të rivlerësimit janë dorëzuar pranë KPK-së 352 raporte të analizimit të aftësive profesionale, duke përmbyllur 79% të të gjithë subjekteve që kanë paraqitur formularin e rivlerësimit pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
  • Ndërkohë, KLGJ në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit po vijojnë ende punën për subjektet e tjera të rivlerësimit që kanë paraqitur formularin e vetëvlerësimit si më lart, në funksionin e tyre si ndihmës apo këshilltarë ligjorë.
  • Gjatë vitit 2021, Këshilli ka hartuar dhe miratuar 72 raporte vlerësimi, si dhe ka përfunduar vlerësimin e 36 gjyqtarëve, duke trajtuar me prioritet kandidatët që janë në procedurat e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, gjykatat e posaçme dhe gjykatat e apeleve. Në përmbushje edhe të rekomandimit nr.7 sipas Rezolutës së Kuvendit, për të gjithë gjyqtarët për të cilët ka filluar procedura e vlerësimit etik dhe profesional gjatë vitit 2020 si dhe gjatë vitit 2021, procesi ka vijuar me hapat përkatës sipas parashikimeve të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë dhe akteve nënligjore të Skemës së Vlerësimit, duke i dhënë përparësi gradimit dhe vlerësimit të përshpejtuar të detyruar të kandidatëve aplikues për ngritje në detyrë në Gjykatë të Lartë, në Gjykatën Administrative të Apelit, Gjykatat e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe në Gjykatat e Apelit të juridiksionit të përgjithshëm. Deri tani KGJ, ka emëruar në Gjykatën e Apelit Administrativ 1 gjyqtare dhe në Gjykatën e Apelit Tiranë 7 gjyqtarë, në Gjykatën e Apelit Durrës 1 gjyqtare, Gjykatën e Apelit Vlorë 1 gjyqtarë dhe në Gjykatën e Apelit Korcë 1 gjyqtarë.
  • Lidhur me rekomandimin nr.8, që KLGJ-ja të angazhohet në propozime konkrete për përmirësime ligjore bazuar në përvojën e fituar dhe problematikat e dala përgjatë veprimtarisë së institucionit, ju informojmë se ndonëse kuadri ligjor në fuqi nuk i ka atribuuar Këshillit të drejtën për iniciativë të drejtëpërdrejtë ligjore, gjë e cila adresohet përmes Ministrisë së Drejtësisë, kjo nuk e ka penguar Këshillin të ndërmarrë në të kaluarën iniciativën për disa ndryshime në ligjet e paketës së Reformës në Drejtësi si dhe legjislacionin procedural (civil, penal dhe administrativ).

Ndryshime këto të cilat erdhën në funksion të adresimit të problematikave të lindura gjatë zbatimit në praktikë të Reformës në Drejtësi dhe u ndërmorrën me fokus adresimin e situatës së vështirë me të cilën po përballej sistemi gjyqësor, dhe kryesisht gjykatat e apelit dhe Gjykata e Lartë. Këto ndryshime rezulton të kenë ndikuar në rritjen e efektivitetit dhe shpejtësinë e gjykimit, më veçanërisht, në Gjykatën e Lartë, e cila sikurse është pëmendur, ka arritur norma të kënaqshme të likujdimit të çështjeve gjatë 2020 – 2021. Gjithashtu ju sjellim në vëmendje që ato propozime që nuk u marrën parasysh nga MD dhe Kuvendi gjatë 2020, i janë përcjellë sërisht Kuvendit për ti rikonsideruar, pasi synojnë të përmirësojnë funksionalitetin e gjykatave.

VEPRIMTARIA E KËSHILLIT

Sic rekomandon edhe raport progresi i BE-së, konsolidimi i kapaciteteve të sistemit gjyqësor dhe Këshillit mbetet prioritet në vijimësi. Kjo është konkretizuar me një pune tejet voluminoze dhe intensive nga Këshilli, vecanërisht në lidhje me aktet rregullatore, treguesit dhe rritjen e eficencës. Vetëm gjatë vitit që lamë pas, janë zhvilluar 100 mbledhje plenare dhe janë miratuar 607 vendime.

Për sa i përket kategorizimit të këtyre vendimmarrjeve sipas përcaktimit ligjor, rezulton se: 12 janë akte të mirëfillta nënligjore, ndërkohë që 340 janë akte administrative individuale, 203 akte administrative kolektive dhe 48 akte rregullatore të brendshme dhe 1 akt është udhëzim.

  • Me qëllim rritjen e efiçencës në sistemin gjyqësor, gjatë vitit 2021 Këshilli ka vijuar zbatimin e reformës së administratës civile gjyqësore me qëllim garantimin e profesionalizimit, qëndrueshmërisë dhe integritetit në ushtrimin e funksioneve publike. Në funksion të kësaj reforme, u ndërmorrën një sërë masash duke realizuar:
  • Rekrutimin dhe shpërndarjen e 86 nëpunësve gjyqësor në gjykata;
  • Përfundimin e verifikimit të kritereve ligjore, pasurisë dhe integritetit për 2/3 e kancelarëve në detyrë;
  • Verifikimin dhe pranimin në shërbim civil gjyqësor të 17 punonjësve nga të cilët 7 këshilltarëve ligjorë pranë njësisë ligjore të Gjykatës së Lartë dhe 10 ndihmës ligjorë në gjykatat e apeleve.
  • Ndërkaq, në funksion të përgatitjes dhe rekrutimit të gjyqtarëve të rinj Këshilli ka përcaktuar në 35 numrin e kandidatëve për magjistratë “profili gjyqtar”, dhe 20 numrin e kandidatëve për këshilltarë (4 kuota) dhe për ndihmës ligjorë (16 kuota), për vitin akademik 2021-2022
  • Gjatë vitit 2021 Këshilli ka vijuar zbatimin e kompetencave të tij lidhur me përgjegjësinë disiplinore ndaj gjyqtarëve duke zhvilluar:
  • 10 procedime disiplinore, 6 prej të cilave kanë konkluduar në 3 masa “Shkarkimi nga detyra”, 1 masë “Vërejtje publike”, 1 masë “Ulje e përkohshme e pages”, 1 masë “Pezullimi nga detyra, si dhe 4 procedime disiplinore janë përmbyllur me vendime jo-përfundimtare.
  • Nga ana tjetër, Komisioni i Përkohshëm për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankesës ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari, ka shqyrtuar 100, nga 121 ankime të regjistruara në Këshill gjatë vitit 2021 kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankimit, duke vendosur refuzimin e tyre si të pabazuar.
  • Me qëllim plotësimin e trupave gjyqësore, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka trajtuar 744 kërkesa duke caktuar 920 gjyqtarë për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme ose 5% më shumë se vitin e shkuar, si dhe ka përfshirë në skemë delegimi 14 gjyqtarë e ka transferuar me pëlqim 10 të tjerë.
  • Për më tepër, në vijim të një qasje transparente komunikimi publik në mënyrë sa më profesionale dhe cilësore, KLGJ:
  • në zbatim të ligjit për të drejtën e informimit gjatë vitit 2021, ka trajtuar 55 kërkesa për informacion, duke iu përgjigjur, brenda një afati të arsyeshëm, të gjithë kërkuesve të informacionit; si dhe
  • ka vijuar me popullimin, me informacion dhe në kohë të arsyeshme, të faqes zyrtare të internetit të KLGJ-së, me të gjitha materialet dhe vendimarrjet e Këshillit si dhe komunikimin e tyre në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për publikun përmes njoftimeve për shtyp.
  • Në funksion të orientimit strategjik, Këshilli ka hartuar Planin e dytë Strategjik për periudhën 2022-2024 i cili i është nënshtruar një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent konsultimesh me gjykatat, grupet e biznesit dhe shoqërinë civile që ushtron veprimtarinë në fushën e drejtësisë. Plani 2022 – 2024 është miratuar nga KLGJ me vendimin nr.185 datë 11.05.2022. Gjithashtu, me qëllim parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, Këshilli ka hartuar e miratuar rregulloret për shqyrtimin e praktikave korruptive në KLGJ, hetimin administrativ të sinjalizimit, mbrojtjen e sinjalizuesve dhe ruajtjen e konfidencialitetit.

ANALIZA MBI SITUATËN E GJYKATAVE

Në vijim raporti ndalet në hollësi në analizën mbi situatën e gjykatave, e cila ofron një tablo me informacion të thelluar sasior dhe cilësor mbi nivelin e efiçencës dhe cilësisë së drejtësisë që jepet në 38 gjykatat e vendit. Qëllimi i kësaj analize është matja dhe interpretimi i treguesve të performancës së gjyqësorit me synim evidentimin e nevojave për përmirësimin e punës dhe ofrimin e një drejtësie cilësore dhe pa vonesa për qytetarët.

Në këtë kuadër, KLGJ ka filluar pilotimin e matjes së cilësisë së shërbimeve nga ana e përdoruesve të gjykatave, përfshirë këtu palët në proces, avokatët, ekspertë dhe qytetarë. Ndonëse është nde herët për të arritur në konkluzione, nga ky pilotim na rezulton se rreth 1/3 e të anketuarve shprehen pozitivisht për aksesin, kushtet e pritjes dhe aksesin në informacion. Një përqindje e ulët 5 -10 % kanë vështirësi si të aksesit fizik ashtu edhe në informacionin e gjykatës. Këto grupe nevojiten të ndihmohen me iniciativa konkrete për secilën gjykatë.

  • Për sa i përket ngarkesës së përgjithshme të punës në gjykatat e të gjitha niveleve, theksohet se ngarkesa totale për gjykatat në vitin 2021 shënon një rritje të ndjeshme prej 21.8% krahasuar me vitin 2020.
  • Ngarkesa e punës në gjykata është përballuar nga vetëm 224 gjyqtarë ose 7.91 gjyqtarë për 100.000 banorë. Ky raport është më pak se 40% e normës evropiane. Pjesa më e madhe e gjykatave kanë funksionuar me kapacitet të reduktuar të gjyqtarëve, nën 70%, ndërsa në nivel kombëtar vetëm 62.4% e organikës së gjyqtarëve kanë qenë efektivisht në detyrë gjatë vitit 2021.
  • Analiza statistikore evidenton një përkeqësim të disa indikatorëve të performancës, që në shumicën e rasteve ka ardhur si pasojë e kufizimeve të detyruara nga pandemia Covid-19 dhe veçanërisht nga ulja e ndjeshme e numrit të gjyqtarëve si rrjedhojë e ecurisë së procesit të Vetting-ut.
  • Vlen të përmendet se gjykatat kanë bërë përpjekje për të ruajtur ritmin e zgjidhjes së çështjeve dhe për të mbajtur nën kontroll rritjen e stokut, pavarësisht uljes së numrit të gjyqtarëve efektivë dhe efekteve te pandemisë Covid-19.
  • Rendimenti mesatar i punës për gjyqtar në rang vendi gjatë vitit 2021 ka qenë mesatarisht pothuajse 536 çështje për gjyqtar, që shënon një rritje me 165 çështje (371.3 çështje në 2020) më tepër krahasuar me një vit më parë.

Më në detaj, treguesit e analizës së sistemit gjyqësor, sipas kategorive dhe juridiksioneve, mund të përmblidhen si vijon:

  • Gjykata e Lartë e ka filluar vitin 2021 me një total prej 36 288 çështjesh në pritje të gjykimit. Ajo ka funksionuar me 39% të gjyqtarëve dhe 63.7% të administratës gjyqësore të parashikuar në organikë. Gjatë vitit 2021 në Gjykatën e Lartë janë regjistuar 2859 çështje të reja dhe çdo gjyqtar ka patur mesatarisht 5 341 çështje në ngarkim, 454 nga të cilat i ka përfunduar në vitin 2021. Gjatë vitit raportues Gjykata e Lartë ka arritur të evadojë 3 325 çështje civile, administrative dhe penale, duke reduktuar stokun për vitin 2022 me 1%, si dhe të shumëfishojë normën e likuidimit të çështjeve për të treja kategoritë. Pavarësisht rritjes së efiçencës, në 31 dhjetor 2021 në Gjykatën e Lartë mbeten në pritje për t’u shqyrtuar 35 822 çështje (backlogu i vitit 2021).

Referuar të dhënave statistikore, vërehet se emërimet e reja në këtë gjykatë kanë sjellë ulje prej 58% të ngarkesës mesatare për gjyqtar. Kjo diferencë përkthehet në 7 248 çështje më pak për secilin gjyqtar.

Rezulton se gjatë vitit 2021 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë ulur rendimentin e tyre me 8% duke gjykuar mesatarisht 39 çështje më pak.

  • Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka filluar vitin 2021 me një backlog prej 23 çështje në pritje të gjykimit dhe gjatë vitit raportues janë regjistruar 367 çështje të reja, 24% më shumë se në vitin 2020. Megjithëse ka funksionuar me 42% të gjyqtarëve dhe me ngarkesë të shtuar të çështjeve, GJPAKKO ka arritur të ketë një performancë pozitive duke ruajtur një stok të ulët të çështjeve të mbartura (6.4 % e ngarkesës totale), duke rritur rendimentin për gjyqtar me 64% nga 54.6 çështje në vitin 2020, në 79.7 çështje të përfunduara për gjyqtar në vitin 2021, duke ruajtur një normë të likuidimit të çështjeve në masën 95%, si dhe duke ulur kohën e nevojshme për evadimin e çështjeve (DT) në vetëm 25 ditë.
  • Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar e ka nisur punën në janar 2021 me 158 çështje në pritje të gjykimit (backlog), 177% më shumë krahasuar me 57 çështjet backlog në fillim të vitit 2020. Në gjykatë janë regjistruar 2 203 çështje të reja, 12.85% më shumë, krahasuar me një vit më parë. Ndonëse numri efektiv i gjyqtarëve në vitin 2021 është ulur, në krahasim me vitin paraardhës tërësia e treguesve të efiçencës në gjykatë është përmirësuar, ku vlen të përmendet se rendimenti mesatar për gjyqtar (ER) është rritur me 65%, duke arritur vlerën 304.50 çështje të përfunduara për gjyqtar, krahasuar me 185 në vitin 2020 dhe norma e likuidimit të çështjeve (CR) është 99%, pra 4% më tepër se viti paraardhës.
  • Gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm, kanë pësuar një rritje të backlogut (stokut) gjatë vitit 2021 me 24%, duke shënuar 22 702 çështje në të gjithë apelin. Për rritjen e backlogut ka kontribuar kryesisht Gjykata e Apelit Tiranë me 13 873 çështje (61% e backlogut total) dhe Vlora me 3 436 çështje (15% e backlogut total). Gjatë vitit raportues, janë regjistruar 17 162 çështje të reja (3 359 çështje më shumë se në vitin 2020) të cilat janë kryesisht në Tiranë (38% e çështjeve) dhe në Vlorë (21% ). Ngarkesa mesatare për gjyqtar ka shënuar rritje në të gjithë grupin e gjykatave, ndërsa vlerësohet problematike rritja e ngarkesës në Tiranë me 2 572.7 çështje për gjyqtar (142% më e lartë se në 2020). Gjatë vitit 2021 gjykatat kanë shënuar përgjithësisht një përmirësim të treguesve të efiçencës, pasi rendimenti i gjyqtarëve të apelit është mesatarisht 348.3 çështje të gjykuara për gjyqtar, 53% më e lartë krahasuar me vitin 2020, ndërsa treguesi i kohës së nevojshme për zgjidhjen e çështjes (DT) është 893.9 ditë. Krahasuar me një vit më parë shqyrtimi në apel është shkurtuar me 19.8 ditë ose 2% përjashtuar Gjykatën e Apelit Tiranë, ku tendenca aktuale për zgjidhjen e çështjes shkon deri në 5820.1 ditë (15.95 vjet). Ndërkaq, norma e likuidimit të çështjeve (CR) gjatë vitit 2021 është 93%, krahasuar me 66% që shënohej në vitin 2020.
  • Gjykatat e shkallës së parë, juridiksioni i përgjithshëm kanë patur një ngarkesë totale të backlogut nga viti 2020 prej 28 654 çështjesh (29% më shumë se një vit më parë) nga të cilat 42% (12032 çështje) në Gjykatën e Tiranës. Gjykatat e shkallës së parë, juridiksioni i përgjithshëm, kanë funsionuar me 70% të gjyqtarëve. Gjatë vitit 2021 janë regjistruar 110 821 çështje të reja (46% më shumë se viti pararadhës). Vendin e parë me 42 513 çështje (38% e totalit) e zë Tirana, ndërsa vendin e dytë me vetëm 8 666 çështje (8% e totalit) e mban Durrësi. Treguesit e efiçencës janë përmirësuar duke shënuar rritje të rendimentit mesatar të gjyqtarëve në këtë grup. Rendimenti mesatar është 547.2 çështje për gjyqtar, ndërkaq norma e likuidimit të çështjeve civile (CR Civil) është mesatarisht 99 %, ndërsa për çështjet penale (CR Penal) është 100%. Ngarkesa mesatare për gjyqtar dhe norma e efiçencës për gjyqtar tregojnë disbalancë të theksuar mes gjyqtarëve të të njëjtit nivel, shkaktuar nga ngarkesa e ulët e këtyre gjykatave. Pavarësisht treguesve të efiçencës në fund të vitit 2021 stoku është rritur me 7 925 çështje. Në fund të vitit 2021 mbeten në pritje të gjykimit 36 579 çështje nga të cilat 53 % (19 374 çështje) i përkasin Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
  • Gjykata Administrative e Apelit e ka filluar vitin 2021 me 15 157 çështje në pritje për t’u gjykuar (backlogu), 18% më shumë se në vitin 2020. Gjatë vitit rapotues janë regjistruar në këtë gjykatë edhe 4145 çështje të reja ose 399 çështje (11%) më shumë se një vit më parë. 53% e gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Apelit janë përballur me një ngarkesë mesatare prej 2793.3 çështje për gjyqtar (77% më të lartë krahasuar me një vit më parë). Treguesit e efiçencës vazhdojnë përkeqësimin e nisur në vitin 2020, duke shënuar rritje të backlog-ut dhe zgjatje të afateve të gjykimit. Ndërkaq, norma mesatare e efiçencës për gjyqtar (ER) është 128 çështje (2% më pak, krahasuar me vitin 2020), norma e likuidimit të çështjeve (CR) është ulur nga 37% në vitin 2020, në 21% në vitin 2021, si dhe për zgjidhjen e një çështjeje tendenca është, që në kushtet aktuale, duhen mesatarisht 7577.8 ditë (20.7 vjet). Ky afat është rritur me 88. 5% në krahasim me një vit më parë.

 

  • Gjykatat administrative të shkallës së parë, e kanë filluar vitin 2021 me 5 584 çështje (backlog), në pritje për t’u gjykuar nga gjykatat administrative të shkallës së parë, vlerë 24% më e lartë krahasuar me vitin paraardhës. Backlogu gjendet kryesisht në gjykatën e Durrësit 35% e totalit (1958 çështje), Tiranë 28% (1574 çështje) dhe 20% (1143 çështje) shënohen në Shkodër. Gjatë vitit janë regjistruar 15802 çështje të reja nga të cilat 45% në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe gjykimi është kryer nga 87.4% e gjyqtarëve të parashikuar. Gjykatat administrative të shkallës së parë kanë shënuar rritje të ngarkesës së gjykatës me 24% më shumë backlog dhe 16% më shumë çështje të reja të regjistruara në krahasim me vitin 2020, si dhe një rritje të ngarkesës së gjyqtarëve në 785.07 çështje për gjyqtar, krahasuar me 593.5 çështje/gjyqtar në vitin 2020. Ndërkaq, është shënuar rritje e rendimentit të gjyqtarëve në 499.7 çështje nga 376 çështje të gjykuara për gjyqtar në 2020, si dhe është shënuar një normë nën 100% të likuidimit të çështjeve në 4 gjykata (Durrës, Gjirokastër, Tiranë, Vlorë). Përjashtuar Durrësin, gjykimi kryhet brenda afate të arsyeshme ligjore me një tregues DT mesatar prej 214.4 ditë.

ANGAZHIMET E KLGJ PËR VITIN 2022

Në përfundim, theksojmë se Këshilli i dedikuar për garantimin e pavarësisë dhe mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor, i vetëdijshëm dhe në njohje të thellë të situatës së tij, angazhohet që gjatë vitit 2022, të punojë për përmbushjen e një sërë prioritetesh, ndër të cilat:

  • Vijimi i hartimit dhe miratimit të akteve nënligjore të nevojshme me fokus adresimin në kohë të nevojave të sistemit gjyqësor me qëllim zbatimin e reformës në drejtësi.
  • Përfundimin e procedurave të ngritjes në detyrë të gjyqtarëve kandidatë për emërim në Gjykatën e Lartë dhe plotësimin e kësaj gjykate me 19 gjyqtarë deri në fund të vitit 2022.
  • Fillimin e zbatimit të propozimit të përbashkët të Hartës së re Gjyqësore, pas miratimit të saj me Vendim të Këshillit të Ministrave.
  • Monitorimin e vazhdueshëm të situatës së burimeve njerëzore në gjykata, duke u angazhuar në kryerjen rigoroze të procedurave ligjore për emërimin, ngritjen në detyrë, transferimin e gjyqtarëve me qëllim plotësimin për sa është e mundur të organikës së gjykatave të të gjitha niveleve me fokus më të vecantë në gjykatat e apeleve dhe ato të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  • Përfundimin e procedurës së emërimit të gjyqtarëve në gjykatat e apeleve me qëllim plotësimin për sa është e mundur të organikës së këtyre gjykatave.
  • Përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë për 4 pozicione të lira, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe 4 pozicione të lira, në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe emërimin me prioritet të gjyqtarëve të cilët konfirmohen në detyrë nga organet e rivlerësimit kalimtar.
  • Bashkërendimin e punës dhe vijimin e bashkëpunimit me organet e rivlerësimit kalimtar, për sa i përket dorëzimit të raporteve të aftësive profesionale në kohë dhe duke synuar përmbylljen e procesit të rivlerësimit kalimtar të të gjithë subjekteve brenda afatit 2 vjeçar të mandatit të këtyre organeve.
  • Vazhdimin e zbatimit të procesit të vlerësimit etik-profesional të gjyqtarëve në përputhje me skemën e re të vlerësimit të gjyqtarëve, duke i dhënë prioritet vlerësimeve etike-profesionale të gjyqtarëve që kandidojnë për ngritje në detyrë.
  • Përfundimin e verifikimit të kancelarëve në detyrë apo rekrutimin rishtaz të tyre, në përputhje me Rregulloren mbi “Procedurën e verifikimit të plotësimit të kushteve dhe kritereve ligjore të rekrutimit të kandidatit për kancelar, për këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë dhe për ndihmës ligjor në gjykatat e apelit”.
  • Zbatimin e rregullave të etikës për gjyqtarët përmes forcimit të bashkëpunimit me Këshilltarin e Etikës dhe përpilimit të manualit praktik zbërthyes të këtyre rregullave.
  • Ndërmarrjen e masave konkretë për forcimin e bashkëpunimit periodik ndërmjet KLGJ-së dhe gjykatave, me synim krijimin e praktikave dhe protokolleve të mira, të cilat mund t’i shërbejnë pozitivisht administrimit efikas të sistemit gjyqësor dhe garantimit të të drejtave e lirive të përdoruesve të shërbimeve gjyqësore.
  • Marrja e masave konkrete nga ana e KLGJ-së në bashkëpunim me BE dhe donatorët e tjerë në lidhje me ngritjen e një sistemi të ri të menaxhimit të integruar të cështjeve. Marrja e masave të ndërmjetme që deri në një sistem të ri, të rritet transparenca për botimin e vendimeve të arsyetuara si nga ana e gjykatës ashtu edhe nga ana e Këshillit.

 

KËRKESAT NDAJ KUVENDIT

Për sa më sipër, Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkon mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në lidhje me mbështetjen financiare, për zbatimin konkret të Hartës së Re Gjyqësore, përmes:

  • Investimeve infrastrukturore për gjykatat në nevojë, si psh. Gjykata e Lartë, Gjykata e Tiranës, etj.
  • Rritjes së burimeve njerëzore me numrin e nëvojshëm të punonjësve, në përputhje me raportin e fizibilitetit për zbatimin të Hartës së re gjyqësore.
  • Dizenjimin dhe krijimin e sistemeve bashkëkohore të teknologjisë së informacionit për sistemin e drejtësisë.

Ju faleminderit!

Back to top