Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 13 Korrik 2022

Sot në datën 13.07.2022, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami e shoqëruar nga zëvendëskryetari z. Ilir Rusi dhe znj. Brikena Ukperaj, Kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale mori pjesë në seancën dëgjimore për hartën e re gjyqësore, të zhvilluar para Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtave të Njeriut, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Ndër të tjerë ishin të pranishëm në këtë seancë të mbajtur mbi kërkesën e deputetëve të opozitës parlamentare për projektin e hartës së re gjyqësore: z. Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë, z. Alfred Balla, Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Maksim Haxhia, Kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, znj. Ermonela Ruspi, Komisionere e Seksionit të Veçantë në institucionin e Avokatit të Popullit, znj. Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, gjyqtarë, përfaqësues të East-West Management Institute, Këshillit të Evropës, Delegacionit të BE, ambasadës së SHBA, OPDAT, etj.

Gjatë fjalës së saj, znj. Llagami prezantoi procesin e ndjekur për realizimin e hartës së re gjyqësore, hartuar nga një grup pune i ngritur menjëherë pas krijimit të institucionit, me përfaqësues të KLGJ, gjyqtarë e përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë.

Znj. Llagami u shpreh se harta synon shpërndarjen e drejtë të burimeve njerëzore dhe që ngarkesa e gjyqtarëve të jetë e njëjtë në të gjithë vendin. Kryetarja e KLGJ-së sqaroi se harta e re gjyqësore është hartuar si detyrim ligjor dhe për hartimin e saj është marrë ekspertiza e Këshillit të Europës, projektit të USAID, OSBE-së dhe delegacionit të BE-së.

“Ligji ka vënë disa kritere ku thuhet se madhësia e një gjykate  duhet të jetë me 7 gjyqtarë. Që të kemi një gjykatë Apeli duhet të kemi 10 gjyqtarë. Është ligji ai që e përcakton. Janë marrë të dhëna dhe janë bërë përpjesëtimi i tyre dhe janë dakortësuar. Ne jemi konsultuar me ekspertë ndërkombëtarë. Për gjykatat e shkallës së parë mesatarja e ngarkesës ishte 429 çështje. Nuk ka ekspertë të hartës gjyqësore në Shqipëri. Ngarkesa e gjyqtarëve duhet të jetë e njëjtë. Një gjykatë gjykon më mirë kur ka kushtet për të gjykuar. Qytetarit nuk i intereson se ku është gjykata. Të gjithë këto komponentë, vendimmarrjet janë gërshetuar duke thënë se cila gjykatë e justifikon, madhësia apo ngarkesa.”, theksoi znj. Naureda Llagami.

Në përfundim Kryetarja e KlGJ-së, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve se përse është vendosur që të shkohet nga 6 (gjashtë) gjykata me juridiksion apeli në 1(një) të vetme,  mbi uljen e numrit të Gjykatave Administrative dhe atyre të Shkallës së parë, metodologjinë e ndjekur për hartimin e hartës, modelet e vendeve të rajonit në lidhje më këtë çështje, stokun e vendimeve, rekrutimin e gjyqtarëve, etj.

Back to top