Njoftim për shtyp, datë 16 Qershor 2022
Sot, në datën 16.06.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Pika e parë e “Rendit të Ditës” ishte zhvillimi i seancës dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit z.{…}, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}. Për shkak të mosparaqitjes në këtë seancë të magjistratit nën procedim, Këshilli vendosi për shtyrjen e seancës dëgjimore më datë 07.07.2022 me qëllim ushtrimin prej tij të së drejtës efektive të mbrojtjes, në zbatim të parimeve themelore të ligjshmërisë si dhe procesit të rregullt ligjor.
Më tej Këshilli miratoi vendimin për fillimin e procedurës së verifikimit të kandidatëve fitues në provimin e pranimit në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për ndihmës ligjorë, viti akademik 2022-2023.
Ndër të tjera, Këshilli vendosi shpalljen e 3 vendeve vakante, në pozicionin e ndihmësit ligjor në gjykatat e apelit, përkatësisht 1 ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Apelit Korçë dhe 2 ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
Gjithashtu, KLGJ vendosi mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtarin z.{…} me funksion në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.
Në mbledhjen e sotme plenare, Këshilli vendosi për hapjen e procedurës së transferimit të përkohshëm për një pozicion të lirë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës.
Në përputhje me dispozitat ligjore, Këshilli vendosi përsëritjen e transferimit të përkohshëm të gjyqtares znj. Diamela Goxha në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi shqyrtoi projektvendimet për kualifikimin/skualifikimin e dy kandidatëve, znj.{…} dhe z. {…}, për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2021-2022, vendosi shtyrjen e seancës për kryerjen e verifikimeve të tjera shtesë.
Këshilli miratoi procesverbalet e disa mbledhjeve plenare dhe në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.