Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Konferenca Ndërkombëtare me temë “Modeli i përzgjedhjes, vlerësimit dhe promovimit të gjyqtarëve. Cilat kompetenca dhe aftësi kanë rëndësi? Praktikat dhe tendencat më të mira.”

Në datat 13 dhe 14 qershor, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Gjykata e Lartë, në bashkëpunim me Shërbimin Ligjor Falas Tiranë, zhvilluan Konferencën Ndërkombëtare me temë “Modeli i përzgjedhjes, vlerësimit dhe promovimit të gjyqtarëve. Cilat kompetenca dhe aftësi kanë rëndësi? Praktikat dhe tendencat më të mira.”

Në ditën e parë të këtij aktiviteti, të moderuar nga znj. Naureda Llagami, kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, morën pjesë z. Sokol Sadushi, zëvëndëskryetar i Gjykatës së Lartë, z. Gian Luca Bombarda, drejtor i Operatorit të Fondit Norvegjez (online), Prof. Dr. Salvija Mulevičienė, drejtuese projekti, Univerisiteti M. Romeris, Lituani, Prof. Dr. Rimvydas Norkus, gjyqtar i Gjykatës së Përgjithshme të Bashkimit Evropian, Dr. Pavel Klima dhe Dr. Jana Odehnalová, ekspertë të projektit, Universiteti Metropolitan Pragë, Dr. Erjon Muharremaj, zëvendës dekan i Universitetit të Tiranës, ish anëtar i KLGJ-së, Dr. Fjoralba Caka, përfaqësuese e shoqërisë civile, znj. Brikena Ukperaj, kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale në KLGJ, Dr. Gabrielė Juodkaitė-Granskienė, ekspert i projektit, gjyqtar i Gjykatës Supreme të Lituanisë, znj. Sigita Rudėnaitė, eksperte e projektit, kryetare e Gjykatës Supreme të Lituanisë, z. Gianluigi Pratola, magjistrat në Gjykatën e Kasacionit të Italisë (online).

Gjatë konferencës u diskutua rreth sistemeve të ndryshme të karrierës gjyqësore, duke filluar nga modeli shqiptar, sfidat, praktikat dhe metodat e avancuara ndërkombëtare në këtë drejtim.

Nga diskutimet gjatë aktivitetit u hodh dritë mbi pritshmëritë e publikut për gjyqtarët si profesionistë dhe individë të shoqërisë, si dhe mbi balancën e efektivitetit të procedurave të rekrutimit kundrejt atyre teknokratike të ndërtuara për arsye objektiviteti në vendimarrje dhe transparence.

Dita e parë e Konferencës i dedikohej procedurës së përzgjedhjes, emërimit dhe vlerësimit të gjyqtarëve dhe diskutimeve midis aktorëve jo-gjyqësorë, duke nxjerr në pah rolin e akademisë, shoqërisë civile, medias dhe komunitetit të biznesit si pjesë e publikut më të gjerë që përcakton pritshmëritë për “gjyqtarin” si person brenda dhe jashtë sallës së gjyqit.

Në ditën e dytë të Konferencës morën pjesë, znj. Rajmonda Bozo, Drejtore Ekzekutive e TLAS, z. Alfred Balla, Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Vangjel Kosta, Avokat dhe Lektor në Shkollën e Magjistraturës, z. Klodian Kurushi, Kryetar i Komisionit të Zhvillimit të Karrierës-KLGJ, Dr. Grezegorz Borkowski, Gjyqtar nga Polonia, projekti i BE, znj. Reda Moliene, Koordinator i Ekipit të Ekspertëve të Projektit, Universiteti Mykolas Romeris si dhe Dr. Arta Vorpsi, Lektore e së Drejtës Kushtetuese, eksperte e projektit. Dita e dytë e këtij aktiviteti kishte në fokus tematika si; aktivitetet dhe etika gjyqësore si dhe promovimi i gjyqëtarëve specifikisht i përqëndruar tek ngritja në detyrë e gjyqtarëve në gjykatat më të larta si dhe në pozicione drejtuese të gjykatës.

Takimi dy ditor synon të kontribuojë në kuadër të objektivit strategjik për rritjen e transparencës dhe forcimit të besimit të publikut tek drejtësia dhe sundimi i ligjit.

Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit ndërkombëtar “Portreti i një gjyqtari” financuar nga Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia përmes Fondit të Granteve të Zonës Ekonomike Evropiane (EEA) dhe Norvegjisë për Bashkëpunim Rajonal, i cili synon zhvillimin e një modeli shumëdimensional të kompetencave që do të maten gjatë procedurave të përzgjedhjes, vlerësimit dhe promovimit të gjyqtarëve.

Back to top