Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 15 Qershor 2022

Sot në datën 15.06.2022, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami e shoqëruar nga zëvendëskryetari z. Ilir Rusi dhe z. Klodian Kurushi, Kryetar i Komisionit të Zhvillimit e Karrierës, prezantoi në seancë dëgjimore “Raportin Vjetor” mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor gjatë vitit 2021, të zhvilluar para Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Znj. Llagami bëri një prezantim gjithëpërfshirës të veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, rezultateve dhe sfidave kryesore të Këshillit për të ruajtur ritmin e veprimtarisë në kuadër të përmbushjes së kompetencave kushtetuese, ligjore dhe strategjike, por mbi të gjitha për të garantuar funksionalitetin e gjykatave në funksion të ofrimit të shërbimeve gjyqësore për publikun.

Në përfundim të këtij raporti Kryetarja znj. Naureda Llagami iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për “Hartën e re gjyqësore”, duke sqaruar si më poshtë:

“Janë bërë tetë takime konsultimesh publike. Kanë qenë të pranishëm përfaqësues të Dhomave Vendore të Avokatisë. Janë bërë edhe dy takime të tjera me përfaqësues të Shoqërisë Civile. Pas opinioneve që ka marrë grupi i punës, KLGJ ka miratuar raportin vlerësuar mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe gjykatave” deklaroi kryetarja.

Më tej kryetarja e Këshillit shpjegoi se mungesa e 184 gjyqtarëve dhe kriteret ligjore për funksionimin e një gjykate të shkallës së parë me 7 gjyqtarë janë arsyet që kanë detyruar KLGJ-në të marrë vendimin për shkrirje të gjykatave.

Kryetarja znj. Naureda Llagami sqaroi gjithashtu se “Po të shohim Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative, Tirana sot është një nga Gjykatat më efektive. Pra edhe gjykimi i specializuar nuk dështon. S’mund të specializojmë dot gjyqtarë me gjykata të vogla, nuk mundet ai të jetë efektiv. Kemi shkuar drejt specializimit të gjyqtarit. Kemi analizuar tri vite prurje për gjykata kemi shkuar edhe në katër, për të arritur këtu ku jemi. Sot standardi dhe objektivi është eficenca. Komponentët për ta realizuar këtë ne i kemi analizuar”.

Në arsyetimin e saj në Komisionin e Ligjeve, znj. Llagami evidentoi një nga shqetësimet e hasura në lidhje me mungesën e aplikimit të gjyqtarëve për në Gjykatat e Apelit të Rretheve ndërsa ndryshe ndodh me atë të Tiranës. Ajo solli një nga rastet konkrete kur KLGJ ka hapur procedurat në Shkodër dhe Korçë në të cilat nuk ka aplikuar asnjë gjyqtar.

“Ne kemi shqetësim se s’kemi prurje. Nuk aplikojnë gjyqtarë, përveç Apelit Tiranë se nuk marrin riskun të përfshihen në procedura se kemi standardin që po nuk kalove vetting-un me formë të prerë, nuk fillon procesi i vlerësimit. E dyta nuk kanë interes se duan një gjykatë më të mirë. Në Gjykatën e Apelit Shkodër hapëm 4 herë procedurat dhe nuk aplikoi askush, e njëjta për Korçën, pra ka interes të ulët. Nga një analizë në trupën gjykuese në shkallë të parë nga 166, vetëm 16-17 prej tyre mund të përmbushin kushtet që të shkojnë në apel dhe kalojnë vetting-un në formë të prerë “, tha znj. Llagami.

Sa i përket të rinjve që dalin nga shkolla e magjistraturës, znj. Naureda Llagami sqaroi se deri në vitin 2028, prurjet e reja në sistemin gjyqësor në vend do të jenë 144 kandidatë.

“KLGJ ka propozuar që viti i tretë i magjistratëve të jetë praktikë. Ne mund ti çojmë në gjykata të mëdha për çështje të thjeshta. Kandidatët duhet të kenë 3 vite eksperiencë, që do të thotë nuk dalin 25 vjeç, por 28 vjeç”, tha kryetarja e Këshillit.

 Në përfundim të diskutimeve Komisionit për Çështjet Ligjore propozoi vijimin e diskutimeve rreth “Hartës së re gjyqësore” në një seancë të radhës me praninë e përfaqësuesve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

 Më poshtë linku i seancës së zhvilluar:

https://fb.watch/dFFaSDwdN2/

 

Back to top