Shkëmbimi i përvojës midis gjyqtarëve shqiptarë për mediat dhe gjyqtarëve holandezë
Këshilli i Lartë Gjyqësor, në kuadër të bashkëpunimit me shoqërinë civile, së bashku me Qendrën për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP, zhvilloi aktivitetin e dytë për shkëmbimin e përvojës midis gjyqtarëve shqiptarë për mediat dhe gjyqtarëve holandezë.
Në këtë aktivitet morën pjesë anëtarja e KLGJ e caktuar për kryerjen e detyrave në lidhje me marrëdhëniet me publikun, znj. Marçela Shehu, gjyqtarët për mediat, znj. Saida Dollani, znj.Edlira Petri, znj. Blerona Hasa, znj. Vojsava Osmanaj, z. Florjan Kalaja, z. Erjon Muharremaj, ish-anëtar i KLGJ, si dhe gjyqtarët holandezë, znj. Lenke de Klerk, z. Marc Bax, si edhe znj. Ilse Westenenk, shefe e departamentit të komunikimit në gjykatën e East Brabant dhe znj. Anne Tahapary, nga Shkolla e Magjistraturës e Holandës.
Në takim mori pjesë edhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese znj. Sonila Bejtja, shefja e zyrës së medias pranë Prokurorit të Përgjithshëm, znj. Rozeta Tase, si dhe nëpunës civilë gjyqësorë për marrëdhëniet me publikun.
Aktiviteti u fokusua në rolin e rëndësishëm të gjyqtarëve për mediat në komunikimin me publikun, në drejtim të forcimit të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Gjyqtarët shqiptarë për mediat dhe kolegët holandezë shkëmbyen përvojat e tyre dhe u angazhuan për forcimin e bashkëpunimit në vijim, për të përfituar prej modelit holandez, si një ndër modelet e suksesshëm të komunikimit të gjyqësorit me publikun.
Aktiviteti është pjesë e nismave të Këshillit të Lartë Gjyqësor për vënien në zbatim të Planit Strategjik të Komunikimit për sistemin gjyqësor, për të siguruar informacion të saktë për median dhe publikun, në funksion të përmirësimit të transparencës së veprimtarisë së gjyqësorit.