PËRMBYLLET CIKLI I KONSULTIMEVE PUBLIKE PËR HARTËN E RE GJYQËSORE
Këshilli i Lartë Gjyqësor në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë përfunduan më 11 mars 2022, ciklin e konsultimeve publike mbi propozimin për Hartën e re Gjyqësore.
Ky cikël prej 8 takimesh konsultative u zhvillua gjatë periudhër janar – mars 2022 dhe konsistoi në 6 konsultime me grupet e interesit që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në juridiksionet e gjykatave te apelit Vlorë, Gjirokastër, Shkodër, Korcë, Durrës dhe Tiranë si dhe 2 takime me përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetin e biznesit. Në keto takime morën pjesë përfaqesues nga dhomat vendore të avokatisë, përfaqësues nga Prokuroria e Pergjithshme, gjyqtarë dhe nëpunës civil gjyqesorë.
Nisur edhe nga interesi i lartë i organizatave të shoqërisë civile dhe i komunitetit të biznesit, KLGj-ja dhe MD-ja organizuan edhe 2 konsultime të tjera, respektivisht me këto grupe interesi, për të pasur një tablo të plotë mbi opinionet, sugjerimet e rekomandimet e grupeve të interesit.
Opinionet dhe sugjerimet që kanë rezultuar nga ky cikël takimesh do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi të përbashkët nga KLGJ–ja dhe MD-ja, për të vijuar më pas me procesin e miratimit të hartes së re gjyqësore, e cila synon t’ju ofrojë qytetarëve kudo që ndodhen akses të barabartë dhe një sistem gjyqësor efikas.