Njoftim për shtyp, datë 2 Mars 2022
Sot, në datën 02.03.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën u shqyrtuan çështjet si më poshtë vijojnë:
Këshilli deklaroi mbarimin e mandatit të dy anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Maksim Qoku dhe z. Erjon Muharremaj dhe zëvendësimin e tyre me dy anëtarët më të rinj, z. Ilir Rusi dhe znj. Yllka Rupa, të zgjedhur nga Kuvendi nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi zgjedhjen me shumicë votash të z. Ilir Rusi, në funksionin e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Këshilli miratoi një ndryshim në vendimin e tij nr. 13, datë 18.01.2019 “Mbi ngritjen dhe përbërjen e komisioneve të përhershme”, i ndryshuar me vendimin nr. 601, 23.12.2021, të Këshillit të Lartë Gjyqësor”.
Pas plotësimit me 10 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, Këshilli ka vijuar angazhimin e tij lidhur me funksionalizimin e plotë të kësaj gjykate duke vendosur dërgimin e propozimit për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatit z. Gentian Medja, pranë Presidentit të Republikës për dekretim.
Gjithashtu, Këshilli vendosi përsëritjen e komandimit të gjyqtares znj. Esmerilda Habili në pozicionin e nëpunësit përgjegjës për vlerësimin, në Njësinë e Vlerësimit Profesional dhe Etik të Gjyqtarëve, në Këshillin e Lartë Gjyqësor.