Njoftim për shtyp, datë 10 Shkurt 2022
Sot në datën 10.02.2022, Këshilli Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e tij të radhës, vendosi dërgimin e propozimit për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidates znj. Arbena Ahmeti, pranë Presidentit të Republikës për dekretim.
Përmes kësaj vendimmarrjeje, Këshilli, përmbyll me sukses procedurën e ngritjes në detyrë për kandidaten në fjalë duke mundësuar plotësimin e Gjykatës së Lartë me 10 gjyqtarë.
Plotësimi i kësaj gjykatë me 10 gjyqtarë, shënon një moment të shumëpritur duke krijuar kuorumin e nevojshëm dhe për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese. Funksionalizimi i plotë i këtyre dy gjykatave është jo vetëm prioritet i veprimtarisë së të gjitha institucioneve në fushën e drejtësisë por dhe një prioritet kombëtar për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Këshilli Lartë Gjyqësor mbetet i angazhuar të kontribuojë në të gjitha proceset e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit duke dëshmuar profesionalizëm dhe përgjegjshmëri maksimale. Këshilli është i përkushtuar për drejtësi të shpejtë dhe eficente që meriton besimin e publikut!