Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Vizitë e Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese Federale Gjermane, Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe në Bundestagun Gjerman.

Në datat 7-12 nëntor, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami dhe një delegacion i nivelit të lartë të drejtuesve të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë nga Shqipëria, zhvilluan një vizitë në disa prej institucioneve të sistemit gjyqësor në Republikën Federale të Gjermanisë, në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg, si dhe në Bundestagun Gjerman.

Ky aktivitet u organizua nga Fondacioni Konrad Adenauer dhe kishte si qëllim njohjen nga afër me sistemin gjerman të drejtësisë.

Gjatë vizitës në Republikën Federale të Gjermanisë, znj. Llagami zhvilloi takime në Gjykatën Kushtetuese Federale Gjermane dhe në Gjykatën Administrative të Baden-Württemberg-ut me përfaqësues të këtyre institucioneve, ku diskutoi mbi përgjegjësitë dhe bashkëpunimin e gjykatave, si dhe mbi detyrat dhe qëndrimet e tyre në një shtet të së drejtës.

Gjatë aktivitetit, znj. Llagami u ndal edhe në Bundestagun Gjerman, ku u takua me përfaqësues të këtij institucioni.

Ndërkaq, në vizitën e zhvilluar në GJEDNJ, znj. Llagami, mori pjesë në një takim me z. Herrn Georges Ravarani, President seksioni dhe gjykatës i zgjedhur për Luksemburgun, si dhe bashkëbisedoi me trupën gjykuese shqiptare dhe z. Darian Pavli, Gjykatës i zgjedhur i Shqipërisë në GJEDNJ, mbi çështjet kryesore të Shqipërisë në këtë gjykatë.

Tema me interes, që u trajtuan gjatë vizitës në GJEDNJ, ishin pavarësia dhe paanshmëria e sistemit gjyqësor, si dhe masat për uljen e stokut të çështjeve të prapambetura nëpër gjykata.

 

Back to top