Njoftim për shtyp, datë 10 Nëntor 2021
Sot, në datën 10.11.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli vendosi të shtyjë seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…} dhe të caktojë seancën e radhës në datën 16.11.2021, ora 12:00.
Këshilli vendosi kualifikimin e kandidates znj. Lutfije Celami dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit Durrës dhe në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Në kuadër të procesit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve, si dhe të ngritjes në detyrë, Këshilli vendosi miratimin e raporteve të vlerësimit për gjyqtaren znj. Ornela Naqellari, për periudhën e vlerësimit 2013-2016 dhe për vitin 2019.
Këshilli miratoi disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 75, datë 23.05.2019, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve për gjyqtarë, për zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve dhe për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”.
Gjithashtu, Këshilli vendosi rishpërndarjen e fondeve, në artikullin shpenzime personeli (paga dhe sigurime shoqërore), në programin “Buxheti gjyqësor”.
Në përputhje me detyrimet ligjore, Këshilli miratoi listën e gjyqtarëve kandidatë për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, listë e cila do i përcillet menjëherë Presidentit të Republikës, në funksion të zhvillimit të procedurave të shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionin në mënyrë të përhershme.