Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

N j o f t i m për shpallje, për pranimin me konkurim, në Kategorinë e Lartë Drejtuese.

Bazuar në ligjin nr. 152/2013 ”Për nëpunësin civil” i ndryshuar, neni 32 dhe VKM nr. 118, datë 5.3.2014, “Për procedurat e emërimit, rekrutimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe anëtarëve të TND-së”, i ndryshuar, kreu VIII, Këshilli i Lartë Gjyqësor, njofton shpalljen e procedurës për pranimin me konkurim, në kategorinë e lartë drejtuese, si më poshtë:

  • 1 (një) vend, në pozicionin Drejtor Departamenti, në Departamentin e Administrimit të Gjykatave dhe Teknologjisë së Informacionit (Nëpunës Civil, Kategoria e Lartë Drejtuese, I-b), në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

I- Përshkrimi i përgjithshëm i punës, për pozicionin Drejtor i Departamentit të Administrimit të Gjykatave dhe Teknologjisë së Informacionit,  është si  më poshtë:

  • Hartimin e politikave dhe këshillimin e tyre, në lidhje me organizimin dhe funksionimin e shërbimeve në administrimin gjyqësor dhe teknologjinë e informacionit.
  • Ndjek Hartimin dhe zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, në lidhje me organizimin e administrimin gjyqësor dhe standartet.
  • Përcaktimin e objektivave dhe formulimin e programeve, standarteve dhe procedurave përkatëse për zbatim në lidhje me administrimin gjyqësor dhe teknologjinë e informacionit.
  • Sigurimin e zhvillimit të sistemit elektronik të teknologjisë së informacionit për përdorim në gjykata, si dhe menaxhimin, koordinimin, monitorimin dhe mbikëqyrjen e përdorimit të teknologjisë së informacionit në gjykata.
  • Përcaktimin e rregullave për funksionimin, dhe sigurinë e sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve dhe për mbrojtjen e të dhënave personale të përdorura dhe të ruajtura nga sistemi, si dhe mirëmbajtjen e sistemit elektronik të teknologjisë së informacionit të çështjeve;
  • Garantimin që sistemi elektronik i teknologjisë së informacionit të të dhënave gjeneron informacione statistikore, të cilat janë të nevojshme për punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të organeve të tjera dhe që përputhen me standardet europiane për treguesit e punës së gjyqësorit, të tilla si norma e evadimit të çështjeve, numri i çështjeve për gjyqtar, kohëzgjatja mesatare e çështjeve etj.
  • Sigurimin e përdorimit me efiçensë, efektivitet dhe ekonomicitet, të burimeve materiale dhe njerëzore të nevojshme për realizimin e programeve dhe arritjen e objektivave të departamentit.
  • Planifikimin dhe drejtimin e veprimtarisë së përditshme administrative të departamentit dhe përfaqësimin e tij në takime të ndryshme.
  • Përgatitjen e materialeve, relacione, projekt-vendime, statistika të ndryshme, të cilat do të shqyrtohen në mbledhjen e komisioneve të përhershme ose të përkohshme të Këshillit.
  • Ndjekjen dhe mbikqyrjen ecurinë e çdo praktike të ngarkuar nga Kryetari i Këshillit dhe Sekretari i Përgjithshëm.

 II- Konkurimi është i hapur për nëpunësit civil të kategorisë së mesme drejtuese (II-b), pjesë e shërbimit civil.

 II.1. Kushtet e përgjithshme, kandidati duhet:

-Të plotësojë të gjitha kushtet e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil, sipas nenit 21, të ligjit nr. 152/2013 ”Për nëpunësin civil” i ndryshuar.

 -Të zotërojë aftësi, njohuri dhe cilësi të përcaktuara në kuadrin e kompetencës, si: Aftësi për të drejtuar dhe menaxhuar veprimet e ndryshme, Aftësi komunikimi, Aftësi të drejtimit strategjik, Ndërtim i marrëdhënieve ndërpersonale, Efektivitet, Aftësi pune në grup, Kuptim të gjerë të kompetencave ndërsektoriale, Njohuri mbi fenomenet sociale dhe ekonomike, Besueshmëri, Vizion, Të qenët krijues, Integritet, Njohuri për sistemin ligjor evropian.

 -Të zotërojë njohuri të gjera lidhur me fushën e përgjegjësisë së institucionit, mbi menaxhimin e sistemit buxhetor dhe të shërbimit civil, si dhe aftësi shumë të mira drejtimi (lidership), formulimi politikash, menaxhimi strategjik, aftësi analitike, komunikimi, negocimi; kërkohet rregullisht gjykim dhe iniciativë për t’u marrë me probleme komplekse.

 II.2. Kriteret e veçanta, për pozicionin Drejtor Departamenti, në Departamentit të Administrimit të Gjykatave dhe Teknologjisë së Informacionit (Nëpunës Civil Niveli i Lartë Drejtues, I-b), janë si  më poshtë:

  • Të jetë nëpunës civil i konfirmuar, kategoria niveli i mesëm drejtues (dokument nga institucioni).
  • Të zotërojë diplomë të nivelit Master Shkencor (ose të barazvlefshme), në Shkencat Juridike. Diploma e nivelit Bachelor, duhet të jetë e të njëjtës fushë. Diplomat e marra jashtë vendit, duhet të jenë të njohura nga institucioni përgjegjës për njesimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi.
  • Të ketë të paktën 10 (dhjetë) vite eksperiencë pune në profesion, nga të cilat të paktën 5 (pesë) vite, si nëpunës civil i nivelit të mesëm drejtues ose në pozicione të barasvlefshëm me to (kategoria e pagës II-b).
  • Të ketë të paktën vlerësimin e fundit, mirë apo shumë mirë.
  • Të mos ketë masë disiplinore, në fuqi, (dokument nga institucioni).
  • Të mos kenë procese gjyqësore, civile, penale, administrative që janë në proces, si dhe të mos jenë në ndjekje penale nga prokuroria,
  • Të ketë njohuri të një gjuhe të BE.
  • Të ketë aftësi të mira profesionale, organizative, etikë të lartë, komunikimi dhe të punës në grup.

 III- Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit.

 III.1. Kandidati duhet të paraqesë zyrtarisht, brënda datës 28.12.2021, me postë në adresën Këshilli i Lartë Gjyqësor, adresa; Rruga: “Ana Komnena”, godina Poli i Drejtësisë, Tiranë, ose elektronikisht në adresën e email: [email protected], kopje të dokumenteve të mëposhtëm:

  • Kërkesë motivimi për aplikim në vendin e punës që konkurron;
  • Jetëshkrim i plotësuar në përputhje me dokumentin tip që e gjeni në linkun: http://www.dap.gov.al/legjislacioni/udhezime-manuale/60-jeteshkrimi-standard
  • Fotokopje të diplomës dhe listës së notave (për diplomat jashtë vendit, të përcillet njehsimi nga MAS);
  • Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  • Dokument për kategorinë në shërbimin civil (kategoria e mesme drejtuese, me dokument nga institucioni),
  • Dokument që nuk ka masë disiplinore në fuqi, (dokument nga institucioni);
  • Vlerësimin e fundit të rezultateve në punë;
  • Fotokopje të çertifikatave të kualifikimit (nëse ka);
  • Vetëdeklarim për vërtetimin e gjendjes gjyqësore, sipas linkut https://www.drejtesia.gov.al/wp-content/uploads/2018/10/formulari-i-vetdeklarimit_gjendja-gjyqesore.pdf
  • Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  • Dokumentacion tjetër, mbi trajnimet, kualifikimet (nëse ka);
  • Dokumentat nga gjykatat dhe prokuroria.
  • Dëshmi të njohurive të gjuhës së huaj (nëse ka);
  • Fotokopje e kartës së identitetit/pasaport;
  • Kontaktet (numër telefoni dhe adresë email) dhe adresën e plotë të vendqëndrimit.

Mosparaqitja e plotë e dokumenteve të sipërcituara, sjell skualifikimin e kandidatit.

IV- Rezultatet për fazën e verifikimit paraprak.

IV.1. Verifikimi paraprak, i përmbushjes së kushteve të përgjithshme dhe kritereve të veçanta në shpalljen për konkurim, do të kryhet brenda datës 06.01.2022, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe brenda ditës do të shpallet lista e kandidatëve që plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe kriteret e veçanta, të shpalljes për konkurim.

Në të njëjtën datë kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe kriteret e veçanta, do të njoftohen nëpërmjet adresës së email, për shkaqet e mos kualifikimit.

Shpallja do të bëhet në faqen zyrtare të internetit, të KLGJ-së dhe në portalin Shërbimi Kombëtar i Punësimit.

V- Fusha e njohurive, aftësitë dhe cilësitë mbi të cilat do të zhvillohet konkurimi.

Kandidatët në testimin me shkrim dhe intervistën e strukturuar me gojë, do të vlerësohen për njohuritë, aftësitë dhe cilësitë, në lidhje me:

V.1. Njohuri mbi ;

  • Ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar,
  • Ligjin nr. 115/2016, “Për organet e sistemit të drejtësisë” i ndryshuar,
  • Ligjin nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqsor në Republikën e Shqipërisë”,
  • Ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”,
  • Ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatës së lartë të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar,
  • Ligjin nr. 10296, datë 08.7.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i ndryshuar,
  • Kodin e Procedurës Administrative,
  • Ligjin nr. 9131, datë 08.9.2003 “Për rregullat e etikës në Administratën Publike”,
  • Ligjin nr. 9367, datë 07.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”,
  • Ligjin nr. 152/2013 “ Për nëpunësit civil”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij;
  • VKM nr. 972, datë 02.12.2020 “Për organizimin, funksionimin e përcaktimin e kompetencave të Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë“.

 V.2. Aftësi për të ;

  • Drejtuar dhe menaxhuar departamentin;
  • Organizuar dhe ndarë punën në departamentin që drejton;
  • Menaxhuar situata emergjente;
  • Menaxhuar situata të cilat nuk kanë qenë të parashikuara;
  • Marrë vendime mbi bazën e argumentave;
  • Shprehur opinionin dhe argumentat në mënyrë të rrjedhshme dhe të sjellshme;
  • Respektuar të tjerët (kolegët, vartësit, qytetarët) dhe dëgjuar opinionin e tyre;
  • Bashkëpunuar me kolegët, duke ndarë me ta informacionin dhe njohuritë e nevojshme; Komunikuar procesin e vendimmarrjes bazuar në argumenta dhe analizë të pasojave;
  • Ndërmarrë nisma të ndryshme strategjike dhe afatgjata brenda kompetencave të funksionit me qëllim përmbushjen e detyrave funksionale, përmbushjen e objektivave dhe përcaktimin e rrugëve dhe hartimin e planeve për mënjanimin e risqeve në realizimin e tyre, duke shfrytëzuar kapacitetet njerëzore dhe materiale me kosto sa më të ulët dhe me rendiment maksimal;
  • Krijuar procedura apo politika të reja;
  • Ndryshuar procedura apo politika ekzistuese në mënyre inovative;
  • Menaxhuar dhe inkurajuar departamentin për të zhvilluar ide të reja

 VI- Mënyra e vlerësimit të kandidatëve.

VI.1. Vlerësimi i kandidatëve pjesëmarrës konsiston në;

-dokumentacionin e dorëzuar, vlerësimin e jetëshkrimit, përvojën, trajnimet apo kualifikimet, vlerësimet individuale në punë, vlerësim i cili në total është 10 pikë,

-testimin me shkrim, vlerësim i cili në total është 40 pikë,

-në intervistën e strukturuar me gojë, në lidhje me njohuritë,aftësitë, kompetencës për përshkrimin e pozicionit të punës, përvojën në punë, motivimin,aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karierën, vlerësim i cili në total është 50 pikë.

VI.2. Mënyra e vlerësimit do kryehet sipas VKM nr. 118, datë 5.3.2014, “Për procedurat e emërimit, rekrutimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe anëtarëve të TND-së”, i ndryshuar, dhe Udhëzimit nr. 6, datë 19.9.2014, “Për procesin e rekrutimit dhe emërimit të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues, anëtarë të TND” të DAP-it, i ndryshuar.

VII- Data e zhvillimit të konkurimit,

VII.1. Testimi me shkrim do të zhvillohet në datën 31.01.2022, ora 11.00, në ambjetet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Pas zhvillimit të testimit me shkrim, kandidatët do të njoftohen nënpërmjet adresës së tyre të email, në lidhje me datën, orën dhe vendin e zhvillimit të intervistës së strukturuar me gojë.

VIII- Data e shpalljes së rezultateve për vlerësimin përfundimtar.

VIII.1. Lista përfundimtare e fituesve e përbërë nga kandidatët që kanë grumbulluar mbi 70 pikë, të renditur duke filluar nga ai me më shumë pikë, do të shpallet në faqen zyrtare të internetit, të KLGJ-së dhe në portalin Shërbimi Kombëtar i Punësimit, në datën 14.02.2022.

Në të njëjtën datë kandidatët që nuk janë shpallur fitues do të njoftohen nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore, pranë KLGJ-së, nëpërmjet adresës së tyre të e-mail.

 

Tiranë, më 26.11.2021

  Njoftim mbi rezultatet e verifikimit paraprak dhe vazhdimit të konkurimit sipas shpalljes për pranimin me konkurim, për kategorinë e lartë drejtuese.

Bazuar në ligjin nr. 152/2013 ”Për nëpunësin civil” i ndryshuar, neni 32 dhe VKM nr. 118, datë 5.3.2014, “Për procedurat e emërimit, rekrutimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe anëtarëve të TND-së”, i ndryshuar, Kreu IV në përfundim të verifikimit paraprak të kandidatëve, për përmbushjen e kushteve të përgjithshme dhe kërkesave të veçanta për pranimin me konkurim, të përcaktuara në shpalljen për konkurim, për pozicionin Drejtor Departamenti, në Departamentin e Administrimit të Gjykatave dhe Teknologjisë së Informacionit (Nëpunës Civil, Kategoria e Lartë Drejtuese, I-b), në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ju njoftojmë se:

– Kandidati i kualifikuar për të vazhduar konkurimin, është:

– Z. Kelment Greca,

– Testimi me shkrim, ku do të vlerësohen njohuritë në lidhje me bazën ligjore të shpallur në fazën e parë, do të zhvillohet më datë 31.01.2022, ora 11.00, pranë ambienteve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

– Intervista e strukturuar me gojë, ku do të vlerësohen njohuritë mbi; bazën ligjore të shpallur, aftësitë, kompetencat mbi përshkrimin e pozicionit të punës, përvojën në punë, motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën, do të zhvillohet më datë 31.01.2022, ora 14.00, pranë ambienteve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Tiranë, më 06.01.2022

 

Shpallje e listës së fituesit

Në zbatim të ligjit nr. 152/2013 ”Për nëpunësin civil” i ndryshuar, neni 32 dhe VKM nr. 118, datë 05.03.2014, “Për procedurat e emërimit, rekrutimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe anëtarëve të TND-së”, i ndryshuar, kreu VIII, pika 13 dhe Udhëzimit nr. 6, datë 19.09.2014 “Për procesin e rekrutimit dhe të emërimit të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues, anëtarë të TND”, të DAP, i ndryshuar, në përfundim të konkurrimit të hapur sipas procedurës për pranim me konkurim, në kategorinë e lartë drejtuese, për 1 (një) vend, në pozicionin Drejtor Departamenti, në Departamentin e Administrimit të Gjykatave dhe Teknologjisë së Informacionit (Nëpunës Civil, Kategoria e Lartë Drejtuese, I-b), në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ju dërgojmë për publikim, listën fituese si më poshtë:

  1. Kelment Greca 81.20 pikë,

 

Tiranë, më 02.02.2022

Back to top