Njoftim për shtyp, datë 4 Tetor 2021
Sot, në datën 4.10.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në vijim të procedurës së verifikimit të thelluar të kritereve ligjore të pranimit, pasurisë dhe figurës, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatëve për magjistrat për pranimin në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2021-2022, të tetë kandidatëve, përkatësisht znj. Dorinela Nikolli, znj. Flutura Çuko, znj. Valjona Haxhiraj, z. Renis Bega, znj. Iva Bregasi, znj. Eda Gjovari, z. Ertil Meçaj dhe z. Bevil Beqiraj.
Këshilli, pasi verifikoi përmbushjen e kritereve ligjore vendosi kualifikimin dhe lejimin për të marrë pjesë në provimin e vlerësimit profesional të kancelares në detyrë në Gjykatën e Apelit Vlorë, znj. Frida Gani dhe kancelares në detyrë në Gjykatën e Apelit Durrës, znj. Marsida Jani, si dhe vendosi kualifikimin për emërim në shërbimin civil gjyqësor në pozicionin e ndihmëses ligjore të znj. Stela Qako.
Një tjetër vendim i Këshillit ishte dhe ai lidhur me pranimin e ankimit administrativ të një gjyqtareje ndaj vendimit nr. 6, datë 30.07.2021, të zëvendëskryetares së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës.
Në vijim të procesit të vlerësimit të gjyqtarëve, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit të tre gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit.
Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të ardhura prej disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve të skemës së delegimit për gjykimin e disa çështjeve gjyqësore në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksione në mënyrë të përhershme.