Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

DEKLARATË

Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organ i ngarkuar nga kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, konstaton me keqardhje se në datën 13.10.2021 është pretenduar nga një përfaqësues i medias për mungesë të transparencës në veprimtarinë e Këshillit, në kuadër të procesit të verifikimit të kancelarëve të gjykatave, në detyrë.

Në procesin e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore, jo vetëm të kancelarëve në  detyrë, por dhe të kandidatëve për kancelarë, për këshilltar ose ndihmës ligjor, Këshilli ka për detyrë të verifikojë plotësimin nga kandidatët të kritereve të përgjithshme dhe të veçanta, bazuar në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Në këtë kuadër, Këshilli ka miratuar procedurat që do të ndjekë ky organ për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore të rekrutimit të kandidatit për kancelar, për këshilltar ose ndihmës ligjor.

Për këtë proces, Këshilli i Lartë Gjyqësor paraqet kërkesë për informacion për verifikimin e të dhënave dhe çdo shkaku tjetër përjashtues, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, prokurorisë, organeve publike financiare, Byrosë Kombëtare të Hetimit, shërbimeve shtetërore informative, si dhe çdo organi disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e mëparshme të punës të kancelarit. Nëse vlerësohet e nevojshme, Këshilli mund të kërkojë informacione shtesë nga institucione të tjera. Në kushtet kur dokumentacioni apo raportet që përcjellin këto institucione, kanë përmbajtje të të dhënave personale, konfidenciale, apo në raste të veçanta të dhëna të klasifikuara, Këshilli ka vendosur që mbledhjet plenare në të cilat shqyrtohen këto materiale të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Në procedurat e verifikimit të kandidatëve në përgjithësi, në kuadër të rekrutimit dhe ngritjes në detyrë, verifikimi përmban edhe të dhëna të klasifikuara “Sekret shtetëror”, sikurse edhe të dhëna personale të kandidatëve. Nisur nga kjo, në respektim të legjislacionit për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror” dhe atij për mbrojtjen e të dhënave personale, dokumentacioni apo materialet nuk mund të shqyrtohen në mbledhje plenare të hapur, në kushtet kur nuk garantohet nga Këshilli përmbushja e detyrimeve për mbrojtjen dhe mospërhapjen e të dhënave të klasifikuara “Sekret shtetëror”, si dhe për mbrojtjen, ruajtjen, mospërhapjen dhe konfidencialitetin e të dhënave personale të kandidatëve, detyrime të cilat përcaktohen në këto ligje, por edhe në dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative. Për këtë shkak, shqyrtimi i rezultateve të verifikimit të kandidatëve bëhet në mbledhje plenare që zhvillohet në sallën e mbledhjeve të Këshillit, pa praninë e të tretëve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor në veprimtarinë e tij, përveç dispozitave ligjore të mësipërme, respekton edhe edhe nenin 10§2 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i cili parashikon se ushtrimi i lirive përmban detyrime dhe përgjegjësi e mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, i udhëhequr ndër të tjera edhe nga parimi i transparencës, rithekson se një ndër objektivat e tij kryesorë është forcimi i bazave për përmirësimin e marrëdhënieve të gjyqësorit me median, në çdo rast duke garantuar respektin reciprok.

Back to top