Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 9 Shtator 2021

Sot, në datën 09.09.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Në kuadër të mirëorganizimit të sistemit gjyqësor, Këshilli vendosi ricaktimin e gjyqtares së skemës së delegimit znj. Arta Duka, në Gjykatën e Apelit Korçë dhe zgjatjen e afatit të caktimit në skemën e delegimit.

Në vijim të procesit të ngritjes në detyrë si dhe plotësimit të vendeve vakante,  Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit nga kandidatja znj. Enerjeta Shehaj, të tre kritereve të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën Administrative të Apelit, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 290, datë 06.07.2021, si dhe verifikimin e plotësimit nga kandidatja znj. Elsa Ulliri, të katër kritereve të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 125, datë 01.04.2021.

Gjithashtu, në kuadër të procesit të vlerësimit etiko profesional të gjyqtarëve si dhe atij të ngritjes në detyrë, Këshilli vendosi përfundimin pa vendim përfundimtar të procedurës së përshpejtuar të detyruar të vlerësimit etik dhe profesional, viti kalendarik 2019, për gjyqtaren Luveda Dardha, si dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit Tiranë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës penale, të shpallur me vendimin nr. 396, datë 07.10.2020, për një kandidate.

Në zbatim të dispozitave ligjore të procesit të ngritjes në detyrë të gjyqtarëve, Këshilli vendosi kualifikimin e gjashtë kandidatëve dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë për pozicionet respektive:

  • kualifikimin e kandidatit z. Erjon Bani dhe vijimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë, të shpallur me vendimin nr. 223, datë 02.07.2020;
  • kualifikimin e kandidates znj. Migena Laska dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit Tiranë për tre pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale, të shpallura me vendimet nr. 184 dhe nr. 185;
  • kualifikimin e kandidatit z. Dritan Hasani dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit Durrës dhe në Gjykatën e Apelit Korçë për dy pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale, të shpallura me vendimet nr. 129 dhe nr. 132, datë 01.04.2021;
  • kualifikimin e kandidates znj. Igerta Hysi dhe vijimin e procedurave të emërimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë, të shpallur me vendimin nr. 120, datë 01.04.2021;
  • kualifikimin e kandidatit z. Sokol Ibi dhe vijimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën Administrative të Apelit, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 290, datë 06.07.2021;
  • kualifikimin e kandidatit z. Florjan Kalaja dhe vijimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 119, datë 01.04.2021.

 

Back to top