Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 26 Gusht 2021

Sot më datë 26.08.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen e radhës e cila shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin “Mbi miratimin e kërkesave për fonde buxhetore (PBA 2022-2024), për sistemin gjyqësor, faza e dytë”. Në projektbuxhet përcaktohen qartësisht shpenzimet dhe kërkesat buxhetore për tre vitet e ardhshme për institucionin e KLGJ-së, për të gjitha gjykatat e vendit dhe Qendrën e Teknologjisë së Informacionit. Projektbuxheti i miratuar nga Këshilli, ka mbajtur në konsideratë legjislacionin financiar në fuqi, ngarkesën e gjykatave, tavanet përgatitore të rishikuara, historikun e shpenzimeve të programeve, pra në realizimin e vitit 2020 dhe buxhetin e miratuar për vitin 2021 si dhe standardet evropiane të shërbimit gjyqësor duke synuar rritjen e numrit të administratës gjyqësore me qëllim ofrimin e shërbimeve efikase ndaj qytetarëve.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor analizoi dhe diskutoi në lidhje me detyrimet e krijuara nga Ligji nr.80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse” në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë nga neni 52/3 i tij, i cili brenda datës 30 Gusht 2021 kërkon përcaktimin e datës për funksionimin e sistemit të regjistrimit të OJF-ve bazuar në komunikimin dhe shqyrtimin elektronik të kërkesave për regjistrimin e tyre.

Regjistrimi elektronik i organizatave jofitimprurëse mundëson kryerjen e shërbimeve nga ana e Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Tiranë me transparence të plotë, duke krijuar lehtësira dhe mundësi të marrjes së shërbimit online, me sa më pak dokumente, me kosto të reduktuar për qytetarë dhe mbi të gjitha brenda afateve të shkurtra.

Në përfundim, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk mundi të realizojë vendimmarrje në lidhje me përcaktimin e datës së funksionimit të regjistrit elektronik të OJF-ve për shkak të mungesës së fondit buxhetor të parashikuar nga Ministria e Financave për këtë qëllim. Këshilli kërkoi bashkëpunimin e aktorëve përgjegjës publikë, për respektimin e detyrimeve ligjore, aktit nënligjor të miratuar me Vendimin nr.539, datë 25.07.2019, i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e udhërrëfyesit për politikën qeverisëse drejt një mjedisi mundësues për zhvillimin e shoqërisë civile 2019 – 2023”, për të mundësuar krijimin dhe funksionimin e regjistrimit elektronik si shprehje e përpjekjeve për të garantuar dhe promovuar transparencën, llogaridhënien, integritetin dhe besimin publik në administrimin dhe menaxhimin e OJF-ve.

Back to top