Njoftim për shtyp, datë 16 Korrik 2021
Sot, në datën 16.07.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në vijim të shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit {…}, në funksion të garantimit të parimit të procesit të rregullt ligjor, Këshilli vendosi pranimin e kërkesës së magjistratit, shtyrjen e seancës dëgjimore për datën 16 Shtator 2021, për t`i dhënë mundësi magjistratit për t`u paraqitur personalisht në seancë, nëpërmjet përfaqësuesit të zgjedhur me prokurë sipas ligjit, ose nëpërmjet zhvillimit të seancës on line nëpërmjet platformës elektronike.
Në kuadër të procesit të plotësimit të pozicioneve të lira në gjykata, Këshilli vendosi ngritjen në detyrën e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të znj.Daniela Shirka.
Në vijim të procesit të vlerësimit të gjyqtarëve, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional, të tre gjyqtarëve që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar.
Në funksion të jetësimit të një ndër prioriteteve të tij kryesore, atij të vendosjes në funksionim të plotë të Gjykatës së Lartë, duke emëruar individë me integritet të lartë etik dhe profesional, pas përfundimit të procedurave të verifikimit për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, shpallur me vendimin nr.245, datë 09.07.2021, Këshilli vendosi miratimin e renditjes së kandidatëve si më poshtë:
- Artur Kalaja
- Asim Vokshi
- Gent Medja
Në vijim të vendimmarrjes së mësipërme, Këshilli vendosi të propozojë për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur me vendimin nr. 245, datë 09.07.2021, kandidatin z.Asim Vokshi, duke disponuar gjithashtu edhe për të drejtën e ankimit të kandidatëve brenda 5 ditëve, nga dita e njoftimit të vendimit.
Gjithashtu në kuadër të këtij prioriteti, si dhe vendimmarjes së datës 13.07.2021, Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve të z. Artur Kalaja, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, shpallur me vendimin nr.87, datë 26.02.2020.
Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave për dorëheqje, Këshilli vendosi mbarimin e statusit të magjistratit për {…}, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…} dhe {…}, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.