Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 13 Korrik 2021

Sot, në datën 13.07.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Në vijim të procesit të vlerësimit etiko-profesional të gjyqtarëve si dhe atij të gradimit, Këshilli vendosi miratimin e raporteve të vlerësimit për periudhën 2013-2016 dhe për vitin 2019, për gjyqtaren znj.Esmeralda Xhili.

Në kuadër të procesit të ngritjes në detyrë dhe plotësimit të pozicioneve të lira në gjykata, Këshilli vendosi: kualifikimin e kandidatit z.Genti Dokollari dhe vijimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit Vlorë; përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit Tiranë për kandidaten znj.Luveda Dardha; si dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për kandidaten znj. Arbena Ahmeti, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, shpallur me vendimin nr.245 datë 09.07.2020.

Më tej, Këshilli vendosi: pezullimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës të kandidatit për këshilltar ligjor z. {…}; ndërprerjen e marrëdhënieve të punës së {…}, në pozicionin e kancelares së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë {…}; si dhe deklarimin e përfunduar pa vendim përfundimtar të procedurës se verifikimit të pasurisë dhe figurës për dy kandidatë për ndihmës ligjorë.

Në funksion të jetësimit të një ndër prioriteteve të tij kryesore, atij të vendosjes në funksionim të plotë të Gjykatës së Lartë, duke emëruar individë me integritet të lartë etik dhe profesional, pas përfundimit të procedurave të verifikimit për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, shpallur me vendimin nr.87, datë 26.02.2020, Këshilli vendosi miratimin e renditjes së kandidatëve si më poshtë:
1. Z.Artur Kalaja
2. Z.Enton Dhimitri
3. Z.Asim Vokshi
Në vijim të vendimmarrjes së mësipërme, Këshilli vendosi të propozojë për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr. 87, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, kandidatin z.Artur Kalaja, duke disponuar gjithashtu edhe për të drejtën e ankimit të kandidatëve brenda 5 ditëve, nga dita e njoftimit të vendimit.

Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesës së gjyqtares znj.Atalanta Zeqiraj, Këshilli vendosi komandimin e saj në skemën e delegimit si dhe caktimin për të gjykuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Back to top