Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Naureda Llagami, mori pjesë në një takim konsultativ me përfaqësues nga komuniteti i biznesit për të diskutuar mbi Planin Strategjik, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe sistemit gjyqësor për periudhën 2021 – 2023

 

Sot, në datë 17.06.2021, Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Naureda Llagami, mori pjesë në një takim konsultativ me përfaqësues nga komuniteti i biznesit për të diskutuar mbi Planin Strategjik të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe sistemit gjyqësor për periudhën 2021 – 2023. Takimi u organizua në kuadër të përmirësimit të besimit të publikut në sistemin gjyqësor, e cila mbetet kryefjala e reformës në drejtësi. Ai u mundësua në bashkëpunim me Qendrën për Ndërmarrjet Ndërkombëtare Private (CIPE), me mbështetjen e Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), si pjesë e konsorciumit per fuqizimin e proceseve elektorale dhe politike, (CEPPS) ne kuader te projektit për të mbështetur krijimin e Akademisë së Transparencës SH.B.A-Shqipëri (USATA)

Gjatë fjalës së saj, Znj. Llagami nënvizoi se KLGJ është i vetmi ndër institucionet e reja të drejtësisë, i cili që në vitin e parë të konstituimit të tij ka hartuar dhe zbatuar një Plan Strategjik (Plani i I Strategjik 2019 – 2020). Eksperienca e akomuluar tashmë, e ka orintuar Këshillin drejt një qasje më gjithëpërfshirëse duke e zgjeruar rrethin e aktorëve me të cilët Plani i II Strategjik (2021 – 2023) po konsultohet, duke përfshirë në këtë proces edhe sektorin privat.

Ndërtimi i një sistemi gjyqësor lehtësisht të aksesueshëm, efikas dhe eficent ndaj nevojave të biznesit është parakusht për të përmirësuar klimën e biznesit në vend, thithjen e investimeve të huaja, e për pasojë promovimin e një zhvillimi të qëndrueshme ekonomik të vendit, theksoi Znj. Llagami. Në përfundim të fjalës së saj, Kryetarja e KLGJ-së shprehu gadishmërinë se aktivitete të këtij lloji që nxisin dialogun konstruktiv mes sistemit gjyqësor dhe komunitetit të biznesit duke promovuar urat e bashkëpunimit, do të zhvillohen edhe në të ardhmen. Kjo si shprehje e besimit tek roli i biznesit si faktor nxitës për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë.

 

Back to top