Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë, në seancë plenare, Raportin mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe veprimtarinë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2020.

Prezantimi në Kuvendin e Shqipërisë, në seancë plenare, Raportin mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe veprimtarinë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2020.

 

Sot në datën 14.06.2021, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami, prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë, në seancë plenare, Raportin mbi Gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe veprimtarinë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2020.

Duke ofruar një panoramë gjithëpërfshirëse të veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe rezultateve të tij gjatë vitit 2020, znj. Llagami në fjalën e saj, njohu deputetët me sfidat kryesore të Këshillit në kuadër të administrimit profesional të sistemit gjyqësor dhe ofrimit të shërbimeve cilësore dhe efikase për publikun.

Teksa vendosi theksin tek vështirësitë e vitit 2020, ku veç problematikave të mbartura, ju bashkëngjitën edhe fatkeqësitë natyrore, si pasojat e shkaktuara nga tërmeti i fund-vitit 2019 dhe pandemia globale Covid-19, znj. Llagami u shpreh se me gjithë problematikën e sipër cituar, Këshilli arriti të shumëfishojë përpjekjet dhe dyfishojë vendimmarrjet krahasuar me 1 vit me parë.

Në përfundim të fjalës së saj, znj. Llagami nënvizoi se, pavarësisht vitit pandemik, Këshilli arriti të realizoi në kohë dhe me cilësi një sërë prioritetesh në funksion të rritjes së eficencës në sistemin gjyqësore, duke veçuar funksionalizimin e Gjykatës së Lartë, përfundimin e projektit për Hartën e re Gjyqësore, përdorimin e platformave të teknologjisë së informacionit, si dhe ushtrimin për herë të parë të përgjigjësive disiplinore ndaj trupës gjyqësore.

Gjatë prezantimit të këtij raporti Kryetarja znj. Naureda Llagami iu përgjigj pyetjeve  të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

 

Fjala e plotë e Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, znj. Naureda Llagami.

 

E nderuar zonja Zëvendëskryetare e Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Në emër të Këshillit të Lartë Gjyqësor ju falënderoj për mundësinë për të prezantuar, para jush veprimtarinë e institucionit si & gjendjen e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2020.

Tashmë, Këshilli ka hyrë në një fazë konsolidimi si të veprimtarisë brendshme ashtu edhe vizionit për sistemit gjyqësor. Gjatë vitit 2020, fokusi kryesor i punës sonë ka qenë ruajtja e funksionalitetit të gjykatave po aq sa edhe përballimi i pasojave si të tërmetit të Nëntorit 2019 dhe pandemisë e cila na detyroi të pezullojmë për pak kohë edhe veprimtarinë e gjykatave të prekura. Vetëm si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i nëntorit 2019, ¼ e gjykatave e kanë të domosdoshëm ndërtimin e një godine të re ne përputhje me standardet bashkëkohore të ofrimit të shërbimeve ndaj publikut.

Gjendja e sistemit gjyqësor është kritike si pasojë e kufizimeve të pandemisë por edhe uljes së e numrit të gjyqtarëve dhe motivimit të tyre për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar. Me përjashtim të GJL ku KLGJ ka ndërhyrë me prioritet gjatë 2020, treguesit e performancës  kanë treguar përkeqësim. Ju mund t’i gjeni shifrat në raportin vjetor, por dua të theksoj se situatën më të vështirë e kemi në Gjykatat e apelit si të juridiksionit të përgjithshëm ashtu edhe administrativ.

P.sh. në Gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm kemi një rritje të backlog-ut me 26%, dhe kohës mesatare për zgjidhjen e një çështjeje me 44%. Në Gjykatën Administrative të Apelit, ndonëse një situatë sui generis, kemi një rritje me rreth 1/5 të çështjeve të mbartura por ajo që është më shqetësuese është 3-fishimi e afateve kohore për zgjidhjen e një çështjeje nga 1171 ditë në 4020 ditë. Me përjashtim të GJKKO, rritje të backlog-ut por edhe të kohës mesatare për zgjidhjen e çështjeve e kemi edhe në gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe ato administrative me përkatësisht 47 dhe 44 ditë krahasuar me një vit më parë.

Sistemi gjyqësor sot ka pësuar humbje në burime njerëzore dhe financiare të shkaktuara nga vetingu. Gjatë 2020, janë larguar përfundimisht nga sistemi 13 gjyqtarë si dhe janë shkarkuar 25 gjyqtarë me vendim të KPK-së, të cilët sipas ligjit përfitojnë 75% të pagës, ose pothuajse 30 milion lekë. Nga fillimi i procesit të rivlerësimit kalimtar deri në dhjetor 2020, ku janë shkarkuar (pezulluar) gjithsej 75 gjyqtarë, me një faturë financiare rreth 55 milion lekë. Përveç faturës financiare, kjo është ngarkesë e shtuar për gjyqtarët e mbetur dhe shërbime të munguara publikut.

Në lidhje me burimet njerëzore situata më kritike është gjithashtu në apele ku kemi vetëm 1/3 e gjyqtarëve efektivë por edhe GJKKO ku kemi vetëm gjysmën e organikës  – 5 nga 11 gjyqtarë në apel dhe 8 nga 16 gjyqtarë në shkallën e parë. Ky numër, çdo ditë e më shumë, zvogëlohet si rezultat i procesit të rivlerësimit kalimtar dhe dorëheqjeve nga ana e gjyqtarëve.

 Për t’u përballur me këtë situatë janë hapur 21 procedura për ngritjen në detyrë në apelet e juridiksionit të përgjithshëm, ku përveç interesit të ulët (26 aplikime për 21 pozicione), dhe kryesisht për gjykatave të mëdha si Gjykatat e apelit në Tiranë dhe Durrës, për gjykatat e tjera nuk ka pasur aplikime.

Në lidhje me GJKKO, plotësimi i pozicioneve të lira pranë gjykatave të posaçme mbetet një sfidë më vete. Gjatë vitit 2020, Këshilli hapi 12 herë procedurat e ngritjes në detyrë. Megjithatë, nga 6 pozicionet në apel pati vetëm 4 kandidatura, ndërsa në 2 pozicione në shkallë të parë 2 kandidatura. Me gjithë ‘shtesën për vështirësi në punë’ në masën 60 % të pagës gjatë 2020 dhe 80% aktualisht dhe fushatat e vazhdueshme ndërgjegjësuese, humbja e privatësisë së gjyqtarit dhe familjarëve si dhe trysnia e procesit të rivlerësimit kalimtar mbeten shkaqet kryesore të hezitimit të gjyqtareve për të aplikuar në këto pozicione.

Në këto kushte Këshilli i ka shumëfishuar përpjekjet dhe dyfishuar vendimmarrjet krahasuar me 1 vit me parë, duke u mbledhur mesatarisht 2 herë në javë (87 herë) dhe kemi prodhuar mesatarisht nga 2 vendimmarrje në çdo ditë të vitit (654 vendime).

Në pjesën e dytë të fjalës sime do të ndalem në disa prioritete të rëndësishme si për KLGJ ashtu edhe për sistemin e drejtësisë.

Së pari, rifunksionalizimi i Gj.L, ku gjatë vitit të kaluar u emëruan 3 anëtarëve jo gjyqtar dhe 4 anëtarëve të rinj nga radhët e gjyqësorit. Deri në korrik 2021, priten të emërohen edhe 3 gjyqtarë duke e çuar numrin në 10. Me pozicionet e hapura deri tani, është e mundur arritja e kuorumit të nevojshëm për përzgjedhjen e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

Aktualisht, Gj.L është plotësisht funksionale mundëson njehsimin dhe unifikimin e praktikave gjyqësore. Nga vendi i fundit që ishte në ishte vitin e kaluar, sot GJL renditet në vendin e 7-të (nga 38 gjykatave), pra është një nga gjykatat më të mira për sa i përket eficiencës.  Megjithëse me 3 anëtarë Gjykata e Lartë, në total ka arritur të shqyrtojë 1478 çështje.

Me plotësimin e trupës gjyqësore, KLGJ ka mbështetur GJL nga pikëpamja organizative me 8 këshilltarë ligjor e ndihmësa-magjistratë, me 12 juristët që po merren posaçërisht me inventarizimin e 30,200 dosjeve  gjyqësore (në bashkëpunim me USAID). Ndryshimi i kodeve të procedurës civile dhe penale si dhe i ligjit mbi gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative do t’i shërbejë më tej rritjes së rritjes së efiçencës dhe adresimit të backlogut.

 Për të mundësuar funksionalitetin e plotë të GJL, KLGJ punoi intensivisht për plotësimin e Skemës së Vlerësimit të Gjyqtarëve, me hartimin e një pakete me 6 aktet nënligjore, të cilat vendosën standardin dhe transparencën e nevojshme për vlerësimin e gjyqtarëve si parakusht për ngritjen e tyre në detyrë me meritokraci dhe profesionalizëm. Përveç pezullimit të aktivitetit gjyqësor shkaktuara nga pandemia, procesi i rivlerësimit kalimtar ndikoi negativisht si në zgjatjen e procedurave të aplikimit kur një apo disa nga kandidatë nuk e kishin përfunduar vettingun ashtu edhe në prurjet e ulëta të kandidatëve potencialë që plotësojnë parakushtet e vendosura nga ligji.

Nga ana tjetër, siç jeni në dijeni vlerësimi etik dhe profesional i gjyqtarëve i cili është parakusht ligjor për procedurën e ngritjes në detyrë për në Gj.L, nuk ishte zhvilluar prej vitesh. Për të zgjidhur këtë situatë, këshilli krijoi: mekanizma zhbllokues, plotësoi skemën e re vlerësimit etiko-profesional të gjyqtarëve dhe filloi këtë proces për rreth 30 gjyqtarë, kryesisht subjekte të promovimit në GJL.

Së dyti, gjatë vitit 2020, Këshilli, i vetëdijshëm për situatën u fokusua jo vetëm te funksionaliteti por edhe tek rritjes së eficencës, adresimi i efekteve negative të procesit të rivlerësimit kalimtar dhe mbështetja e prioriteteve të reformës në drejtësi. Këto ndërhyrje fokusohen në 3 drejtime:

Projektin e Hartës së re gjyqësore;

  • Reformës në administratës gjyqësore dhe shtimit të personelit mbështetës me 86 punonjës në gjitha gjykatat dhe hapjen me prioritet të 17 pozicioneve të ndihmësave ligjor në gjykatat e apelit;
  • Ndryshimet në legjislacionin procedural (civil, penal dhe administrativ) dhe ligjet e paketës së reformës në drejtësi me qëllim rritjen e efiçencës dhe efektshmërisë së gjyqësorit.

Do të ndalem në hartën e re gjyqësore e cila u hartua në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe si produkt i një procesi të gjatë dhe intensiv konsultimesh, përfshirë këtu Ministrinë e Drejtësisë dhe vetë sistemin gjyqësor. Produkti konkret i është vënë në dispozicion zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë (si palë bashkë-propozuese).

Sipas kritereve dhe metodologjisë së dakordësuar nga grupi ndër-institucional i punës, Këshilli ka propozuar që:

  • 22 gjykatat e rretheve gjyqësore me juridiksion të përgjithshëm të riorganizohen në 12 gjykata,
  • 6 gjykatat administrative të shkallës së parë të riorganizohen në 2 gjykata; dhe
  • 6 gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm në 1 gjykatë të vetme

Përveç nevojës për optimizimin e burimeve, rritjes së eficencës së gjykatave dhe shpejtësisë së gjykimit, ky propozim shërben si masë afatshkurtër për përmirësimin e situatës aktuale në sistemin gjyqësor si pasojë e mungesave të gjyqtarëve si pasojë e procesit të vettingut.

Do ta mbyll pjesën e analizës së sistemit edhe me pjesën e bashkëpunimit:

Së pari, me organet e rivlerësimit kalimtar ku që nga fillimi i procesit të rivlerësimit janë përmbyllur këto procese për 65% të të gjithë subjekteve.

Së dyti, me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, ngritja e të cilit i mundësoi Këshillit zbatimin e kompetencave të tij lidhur me përgjegjësinë disiplinore ndaj gjyqtarëve. Ku nga gushti deri në dhjetor 2020, Këshilli zhvilloi 3 procedime disiplinore.

Së treti, dhe më e rëndësishmja, bashkëpunimin dhe ndërveprimin me qytetarët për sigurimin e transparencës kaq të  nevojshme gjatë këtij viti pandemik por edhe një nga rekomandimet e Kuvendit nga viti i kaluar. Për këtë qëllim, këshilli sot ushtron veprimtarinë e tij në transparencë të plotë përmes platformave virtuale me prani të medias, grupeve të interesit dhe partnerëve;   përditëson vendimmarrjen e vet në faqen internet në kohë reale dhe ka funksionalë gjyqtarët për marrëdhëniet me publikun.

Në përfundim, Këshilli angazhohet që gjatë vitit 2021:

  • të vazhdojë punën për zbatimit të reformës në drejtësi;
  • të plotësojë GJL në një kohë sa më të shpejtë me të paktën 15 gjyqtarë;
  • të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorin e Përgjithshëm, dhe Ministrinë e Financave për miratimin dhe zbatimin e Hartës së re Gjyqësore;
  • të përfundojë plotësimin e organikës së apeleve me 21 gjyqtarë dhe GKKO me 6 gjyqtarë;
  • të bashkëpunojë me organet e rivlerësimit kalimtar për përmbylljen e procesit të rivlerësimit kalimtar të të gjithë gjyqtarëve në sistem;
  • të përfundojë procesin e vlerësimit etik-profesional të gjyqtarëve, sipas programit të vlerësimit për vitin 2020-2021;
  • të përfundojë verifikimin, konfirmimin në detyrë dhe rekrutimin e kancelarëve, këshilltarëve ligjor në Gjykatën e Lartë dhe për ndihmës ligjor në gjykatat e apelit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor falënderon Kuvendin për marrjen në konsideratë të nevojave tona për shtim të burimeve njerëzore në sistemin gjyqësor në 2 vitet e fundit si dhe për miratimin e paketës së ndryshimeve ligjore të cilat ishin mjaft të nevojshme në situatën në të cilën ndodhemi.

Për sa më sipër, kërkon mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në lidhje me:

  • Rritjen e burimeve njerëzore në gjykata me të paktën 100 punonjës për administratën gjyqësore në shkallë vendi, kur nevojat e fillestare kanë qenë të vlerësuara për 300 punonjës.
  • Mbështetjen financiare në investime për gjykatat në nevojë si p.sh. Gjykatën e Lartë, gjykatave të Durrësit, Fierit, Beratit, Lezhës etj. si dhe për sisteme bashkëkohore të teknologjisë së informacionit, veçanërisht për zhvillimin e një Sistemi të ri për Menaxhimin e Çështjeve Gjyqësore.

 

 

 

Back to top