Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me rastin e 108 vjetorit të Ditës Kombëtare të Drejtësisë, organizuan një ceremoni zyrtare në mjedisin e Polit të Drejtësisë. Ky aktivitet u hap me fjalën e mirëseardhjes së dy kryetarëve të Këshillave, Znj. Naureda Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Z. Gent Ibrahimi, Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët theksuan simbolikën domethënëse të kësaj dite të shënuar për sistemin e drejtësisë.

Sot, në datën 10.05.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me rastin e 108 vjetorit të Ditës Kombëtare të Drejtësisë, organizuan një ceremoni zyrtare në mjedisin e Polit të Drejtësisë. Ky aktivitet u hap me fjalën e mirëseardhjes së dy kryetarëve të Këshillave, Znj. Naureda Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Z. Gent Ibrahimi, Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët theksuan simbolikën domethënëse të kësaj dite të shënuar për sistemin e drejtësisë.

Gjithashtu, kjo ceremoni u përshëndet nga SH.S.Znj.Yuri Kim, Ambasadore e Shteteve të Bashkuara, Sh.T.Z. Alexis Hupin, Drejtues i Seksionit Politik në Delegacionin e Bashkimit Evropian, Z. Artur Metani, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Olsian Çela, Prokurori i Përgjithshëm, Z. Arben Rakipi, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës si dhe Z. Medi Bici, Anëtar i KLGJ-së.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministria e Drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë, përfaqësues nga organet e rivlerësimit kalimtar, nga Komisioni për Cështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si dhe media.

Për më shumë, ju ftojmë të lexoni:

Fjala e përshëndetjes së mbajtur nga Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Llagami gjatë ceremonisë së zhvilluar në kuadër të Ditës Kombëtare të Drejtësisë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni t’ju uroj të gjithëve gëzuar Ditën Kombëtare të Drejtësisë!

Kjo është një ditë e shënuar për ne si komunitet por edhe për gjithë qytetarët në mbarë vendin!

Ne kemi shumë ditë festive të cilave pak ua dimë kuptimin!

Dita e Drejtësisë është një ditë e cila ka jo vetëm kuptim por edhe aktualitet!

Një ditë që ka në zanafillë ‘Kanunin e Zhurisë’, pra hartimin e ligjeve, kodeve dhe funksionimit të gjykatave në një shtet modern!

Drejtësia nuk u jep të gjithëve atë që u pëlqen por atë çfarë është e mirë për të gjithë! Që shoqëria të mbrojë ato marrëdhënie që janë më të rëndësishme si jeta, shëndeti, familja, prona, vota, etj., për t’u zhvilluar dhe ecur përpara, për të krijuar stabilitet dhe mirëqenie!

Ky koncept i drejtësisë moderne, kërkon nga gjithkush të ngrihet mbi interesat individuale, afeksionet dhe emocionet! Prandaj edhe zonja e drejtësisë është e verbër përballë këtyre tundimeve!

Kërkesa për drejtësi nga të gjithë aktorët, në të gjitha fushat e veprimtarisë së shtetit dhe marrëdhëniet mes individëve, sot është më e lartë se kurrë! Prandaj edhe përgjegjësia e komunitetit tonë të juristëve është gjithmonë e më e lartë!

Flas për komunitet sepse si i tillë duhet të jemi! Ky komunitet sot duhet të çojë përpara objektivat e përbashkëta sepse vetëm kështu kjo reformë është reforma jonë, këto arritje janë arritjet tona! Kështu edhe mund të shohim më qartë se çfarë duhet përmirësuar, dhe rritur më tej!Prandaj, dita e sotme, përveçse një ditë reflektimi për ne, duhet të jetë një ditë sensibilizimi në lidhje me nevojën, detyrën mbi të gjitha qytetare, për t’i shërbyer drejtësisë dhe për të qenë model i drejtësisë që duam!

Drejtësia është ajo që duhet të bëjmë vetë përpara se t’ua kërkojmë të tjerëve!

Në mbyllje dua të rikujtoj se 2021 është një vit që na vuri të gjithë në sfidë, përfshirë edhe sistemin e drejtësisë, prandaj në ditën e drejtësisë dua të falënderoj të gjithë gjyqtarët, kancelarët, stafin e gjykatave, që me sakrificë për shëndetin dhe familjet e tyre i mbajtën dyert e drejtësisë të hapura!

KLGJ sapo ka përfunduar edhe analizën e sistemit të drejtësisë gjatë vitit të kaluar e cila vuri në pah shumë sfida që po përballemi! Sfida në nivelin e sistemeve bashkëkohore, kushteve të punës, infrastrukturës dhe aksesit, standardeve të menaxhimit dhe të cilësisë që kërkohen në gjykata. Por sfida më e madhe mbetet ‘njeriu i drejtësisë’!

Sot Dita e Drejtësisë na gjen me më pak gjyqtarë dhe më shumë kërkesë për drejtësi!

Por nga ana tjetër, na gjen edhe me më shumë përvojë por edhe partnerë të cilët na i kanë bërë përgjegjësitë më të lehta duke i ndarë së bashku me ne!

Fjala e mbajtur nga anëtari i KLGJ-së, Z. Medi Bici, me rastin e 108 vjetorit të Ditës Kombëtare të Drejtësisë.

I nderuar Z. Ibrahimi, Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë;

E nderuar Znj. Llagami, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor;

E nderuar Znj. Yuri Kim, ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës;

I nderuar Z. Z. Alexis HupinDrejtues i Seksionit Politik të Delegacioni të Bashkimit Evropian në Shqipëri;

Të nderuar anëtar të dy këshillave, drejtues të institucioneve dhe të ftuar të tjerë.

Sot jemi mbledhur për të kremtuar ditën e drejtësisë, sepse me datën 10 Maj të vitit 1913 qeveria e drejtuar nga Kryeministri i parë shqiptar pas shpalljes së pavarësisë, Z. Ismail Qemali, dekretoi aktin e parë juridik me anë të cilit organizohej dhe funksiononte sistemi juridik në shtetin e parë të pavarur shqiptar.

Akti juridik i përgatitur nga ish Ministri i Drejtësisë, Z. Petro Poga njihet me emrin “Kanuni i Zhurisë”. Ai i dha fund sundimit afro 500 vjeçar të sheriatit të Portës së Lartë Turke, i cili zbatohej për popullsinë myslimane dhe kanuneve kishtare, të cilat zbatoheshin për popullsinë e krishterë.

Në “Kanunin e zhurisë” u parashikua se, fajet e dëmit, fajet e vështira (deliktet) dhe fajet e shëmtueme (krimet) përbënin vepra penale dhe ishin të dënueshme. Gjithashtu kanuni parashikonte edhe rregullat se si organizoheshin gjykatat e krijuara në territorin që ishte në juridiksionin e qeverisë së Ismail Qemalit. I parë në këtë këndvështrim mund të themi se ky akt juridik hodhi themelet e para të një ligji procedural penal në Shqipëri, i cili kishte nuanca perëndimore.

Më vonë janë bërë ndryshime të shumta në mënyrën e organizimit të gjykatave, sipas pikëpamjeve të qeverive që pasuan njëra-tjetrën, por duhet thënë që gjatë kësaj periudhe janë bërë edhe përpjekje për të bërë ligje, të cilat ishin të ngjashme me ato të vendeve më të përparuara të Europës, siç është miratimi i Kodit Civil në vitin 1929, etj.

Një ngjarje e rëndësishme për sistemin e drejtësisë pas përfundimit të luftës së dytë botërore mendoj se, ka qenë hapja e Fakultetit Juridik, pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës në vitin 1957 nga i cili kanë dalë breza të tërë gjyqtarësh, prokurorësh, avokatësh, pedagogësh, etj, të cilët kanë dhënë dhe japin kontributet e tyre edhe në ditët e sotme.

Në vitin 1991, me miratimin e ligjit për Dispozitat Kushtetuese u bënë ndryshime rrënjësore në sistemin e drejtësisë, ashtu si në të gjitha fushat e tjera të jetës shoqërore në Shqipëri. Ndër të tjera në këto akte juridike u sanksionua mbrojtja e të drejtave dhe lirive kushtetuese të shtetasve, sigurimi i të drejtës së mbrojtjes, prezumimi i pafajësisë, sistemi akuzator, etj. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe u ndryshuan të gjitha kodet ekzistuese, duke filluar me Kodin Civil në vitin 1994, dhe më pas me kodet e procedurave, Kodin Penal, Kodin e Punës, etj.

Viti 1997 solli një situatë shumë të vështirë për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, sidomos për atë të drejtësisë penale, pasi bandat kriminale dolën rrugëve dhe dënimi i tyre nga gjykatat e rretheve ishte pothuajse i pamundur, gjë që e detyroi Gjykatën e Kasacionit që shumë çështje penale ti transferojë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku gjykimet paraqisnin shumë vështirësi për shkak se vendbanimet e dëshmitarëve ishin shumë larg nga Kryeqyteti.

Megjithëse ishte viti më i vështirë për vendin tonë, pikërisht në këtë kohë ndodhi edhe një ngjarje e shënuar për sistemin e drejtësisë, që ishte hapja e Shkollës së Magjistraturës ku marrin njohuritë e nevojshme kandidatët rinj për gjyqtarë dhe prokuror dhe bëhet trajnimi vazhdues për gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë.

Pas viteve 2000 niveli profesional i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka ardhur gjithmonë në rritje, por për shkak të mungesës së rregullave strikte në promovimin e tyre sipas sistemit të meritokracisë dhe mos transparencës së organeve që bënin emërimet, në sistemin e drejtësisë u vu re një dukuri shumë e dëmshme, që ishte korrupsioni, i cili e dëmtoi rëndë besueshmërinë e tij në sytë e publikut.

Në vitin 2016 me mbështetjen e SHBA dhe BE partitë politike parlamentare shqiptare arritën dakortësinë për të bërë ndryshime kushtetuese dhe miratuar një paketë të tërë ligjesh për të bërë  një reformë të thellë në drejtësi, ku pjesë e organeve të reja të dala prej saj ishte edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili filloi funksionimin e tij në fund të vitit 2018.

Para Këshillit të Lartë Gjyqësor, si një organ i ri kushtetues  shtroheshin për zgjidhje shumë çështje të vështira, siç ishin: përgatitja e më shumë se 60 akteve nënligjore, mosfunksionimi total i Gjykatës së Lartë, ulja e ndjeshme e numrit të gjyqtarëve në gjykatat e apeleve dhe rretheve gjyqësore, stoku i dosjeve nëpër gjykata, mosfunksionimi i administratës gjyqësore, etj.

Me ndihmën e pakursyer të misioneve Drejtësi për të Gjithë të USAID dhe Euralius 5 të BE pengesat u kapërcyen një nga një, duke u miratuar shumë rregullore dhe akte të tjera nënligjore me të cilat disiplinohet veprimtaria e KLGJ-së. U miratuan gjithashtu Plani Strategjik dhe Memorandumi i Mirëkuptimit për uljen e stokut të çështjeve në Gjykatën e Lartë, dhe sot kur po i afrohemi gjysmës së mandatit 5 vjeçar, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka bërë pjesërisht funksionale Gjykatën e Lartë, dhe i ka vënë asaj në dispozicion një numër të caktuar nëpunësish me qëllim uljen e stokut të dosjeve të prapambetura.

Gjithashtu KLGJ-ja ka ripërtërirë në më shumë se 1/3 përbërjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Krimin e Organizuar. Të njëjtën gjë po bën edhe për gjykatën e posaçme të shkallës së parë, por në një masë më të vogël, për shkak të kandidimeve më të pakta të gjyqtarëve.

Në rrugë të mbarë mendoj se, janë edhe plotësimi i gjykatave të tjera të apelit me qendër në Tiranë, ndërsa për gjykatat e apeleve me qendra në rajonet jashtë kryeqytetit çështja është më i vështirë për shkak të moskandidimit disa herë të gjyqtarëve, por unë kam bindjen e plotë se këtë çështje do ta zgjidhë përfundimisht miratimi i hartës gjyqësore, e cila do ti jap  fund edhe transferimit të gjyqtarëve për të gjykuar çështje të veçanta në gjykatat e tjera të vendit.

Përfundimisht mbetem me shpresë se, përpara kremtimit të përvjetorit të 110-të të ditës së drejtësisë, sistemi shqiptar i drejtësisë do të kthehet në normalitet dhe më pas duke u bazuar edhe në Planin Strategjik të miratuar nga KLGJ-ja ne duhet të përpiqemi që të arrijmë atje ku dëshirojnë të gjithë: tek drejtësia ekselente.

Ju faleminderit.  ​

 

 

 

Back to top