Njoftim për shtyp, datë 12 Maj 2021
Sot, në datën 12.05.2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në zbatim të detyrimeve ligjore për hartimin dhe plotësimin e kuadrit rregullator nënligjor, Këshilli vendosi miratimin e metodologjisë së pikëzimit me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit, rregullat plotësuese të vlerësimit si dhe ato për përzgjedhjen me short të çështjeve në procesin e vlerësimit etik dhe profesional të ndihmësmagjistratit në Gjykatën e Lartë.
Në vijim të procesit të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve dhe të ngritjes në detyrë, Këshilli vendosi miratimin e raporteve të vlerësimit për gjyqtarin z.Sokol Ibi, për periudhën e vlerësimit 2013-2016 dhe për vitin 2019.
Më tej, Këshilli vendosi caktimin në pozicion, në mënyrë të përhershme, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të gjyqtares znj.Flora Hajredinaj.
Në zbatim të dispozitave ligjore, Këshilli vendosi caktimin e datës 26.05.2021 për zhvillimin e seancës dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit {…} me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit {…} dhe mbylljen e procedimit disiplinor pa zhvilluar seancë dëgjimore ndaj ish-magjistratëve {…} dhe {…}”.
Në vijim, Këshilli vendosi shpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Në përfundim, pas shqyrtimit të kërkesave të disa gjykatave, Këshilli vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.