Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, priti në një takim kortezie Kryetarin e Prezencës së OSBE në Shqipëri, SH.T.Z. Vincenzo Del Monaco.
Sot më datë 6.04.2021, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, priti në një takim kortezie Kryetarin e Prezencës së OSBE në Shqipëri, SH.T.Z. Vincenzo Del Monaco.
Znj. Llagami duke e uruar Ambasadorin për misionin e tij në Shqipëri, shprehu në emër të Këshillit të Lartë Gjyqësor predispozitën për bashkëpunime të ngushta në të ardhmen ndërmjet dy institucioneve. Znj. Llagami, përmes një skanimi të tërthortë të gjendjes aktuale në të cilën ndodhet sistemi gjyqësor, e njohu Ambasadorin e OSBE me zhvillimet dhe sfidat e Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke u ndalur veçanërisht tek pasojat e procesit të rivlerësimit kalimtar në zbrazjen e sistemit gjyqësor.
Pjesë e diskutimeve, ishte edhe vendimmarrja e fundit e KLGJ-së lidhur me propozimin Presidentit të Republikës për emërimin në Gjykatën e Lartë, të katër gjyqtarëve të parë nga radhët e sistemit gjyqësor. Znj. Llagami përmendi se kjo vendimmarrje shënoi një hap madhor në kuadër të funksionalizimit të plotë të kësaj gjykate, pasi plotësimi i trupës gjyqësore me 4 gjyqtarë të tjerë, krahas 3 gjytarëve të dekretuar në mars të vitit 2020 nga Presidenti i Republikës, përmbush premtimin që KLGJ u ka bërë qytetarëve por edhe partnerëve ndërkombëtar.
Bashkëbiseduesit e vendosën theksin e diskutimeve tek rëndësia që ka mbarëvajtja e sistemit gjyqësor në tërësi dhe zbatimi i reformës në drejtësi, si prioritet kombëtar në procesin e integrimit evropian të vendit.
Në mbyllje të këtij takimi, palët u dakordësuan mbi mundësitë e bashkëpunimit nëpërmjet projekteve të ndryshme në fushën e drejtësisë, si prioritet i përbashkët në veprimtarinë e Këshillit por edhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.