Njoftim për shtyp datë 20 Nëntor 2020
Sot, në datën 20.11.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:
Në funksion të plotësimit të organikës së gjykatave të posaçme, për shkak të mungesës së kandidaturave në disa shpallje të mëparshme, Këshilli vendosi rihapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për katër pozicione të lira në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe për tre pozicione të lira në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr.91, datë 26.02.2020.
Në vijim të shqyrtimit të kandidaturave për ngritjen në detyrë në gjykatat e apelit, Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit të tre kritereve ligjore të kandidimit nga kandidatët znj.Migena Laska, për pozicionin e shpallur në Gjykatën e Apelit Tiranë, z.Engert Pëllumbi, për pozicionet e shpallura në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe Gjykatën Administrative të Apelit, si dhe znj.Arbena Ahmeti dhe z.Sokol Ibi për pozicionin e shpallur në Gjykatën Administrative të Apelit dhe vijimin e verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit për secilin kandidat.
Gjithashtu, në vijim të shqyrtimit të kandidaturave për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë nga radhët e gjyqtarëve, Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit të tre kritereve ligjore të kandidimit për kandidatët z.Gentian Medja dhe z.Asim Vokshi, për pozicionet e shpallura në fushën e së drejtës administrative dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit.
Pas krijimit të njësive të shërbimit ligjor në gjykatat e apelit, me qëllim dhënien e ndihmës gjyqtarëve për lehtësimin e punës së tyre dhe përshpejtimin e shqyrtimit të çështjeve gjyqësore, Këshilli vendosi emërimin e përkohshëm të nëntë ndihmësve ligjorë në disa gjykata të apelit, konkretisht, në gjykatat e Apelit Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Korçë, si dhe shpalljen e shtatëmbëdhjetë vendeve vakante në pozicionin e ndihmësit ligjor në gjykatat e apelit.