Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Takim koordinues i Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor Znj. Naureda Llagami, me kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Znj. Pamela Qirko dhe kryetaren e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Znj. Albana Shtylla

Sot më datë 07.10.2020, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, ftoi në një takim koordinues kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Znj. Pamela Qirko dhe kryetaren e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Znj. Albana Shtylla, me qëllim përshpejtimin e procesit të rivlerësimit, të kandidaturave nga sistemi gjyqësor, për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

 

Plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë përveçse është prioritet për Këshillin e Lartë Gjyqësor, kërkon edhe një bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha organeve kushtetuese të cilat garantojnë funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi. Për këtë arsye, roli i organeve të vetingut është i rëndësishëm me qëllim rritjen e mundësisë së zgjedhjes nga ana e KLGJ-së së kandidaturave më me integritet, profesionalizëm dhe besueshmëri për të shërbyer pranë kësaj Gjykate.

 

Drejtueset e institucioneve të rivlerësimit kalimtar shprehën angazhimin e tyre për trajtimin me prioritet të subjekteve të rivlerësimit që kanë kandiduar për vendet vakante në Gjykatën e Lartë, në përputhje me rregullat procedurale në fuqi.

 

Funksionimi i Gjykatës së Lartë është thelbësor për vijimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, po aq sa është edhe sigurimi i një aksesi efektiv në drejtësi për qytetarët e Shqipërisë.

 

 

Back to top