Njoftim për shtyp, datë 7 Tetor 2020
Sot me datë 07.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Më konkretisht:
Në vijim të procedurave për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë nga radhët e gjyqtarëve, Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit të tre kritereve të kandidimit nga znj. Alma Hicka dhe znj. Saida Dollani, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr.87, datë 26.02.2020, dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit.
Në funksion të plotësimit të vendeve vakante të disa gjykatave të apeleve të vendit, Këshilli vendosi rihapjen e procedurës së ngritjes në detyrë përkatësisht për një pozicion në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, Korçë, Shkodër si dhe hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë përkatësisht për një pozicion në Gjykatën e Apelit Durrës, Vlorë, Shkodër dhe për tre pozicione në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në këtë kuadër Këshilli vendosi edhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë pranë Gjykatës Administrative të Apelit, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr.188, datë 28.05.2020.
Në vijim të rendit të ditës Këshilli vendosi miratimin e listave emërore të kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë që kanë plotësuar kriteret e pranimit në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2020-2021.
Më tej, Këshilli vendosi shpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Këshillin e Lartë Gjyqësor, për një pozicion në Njësinë e Vlerësimit Etik dhe Profesional të Gjyqtarëve.
Gjithashtu, Këshilli vendosi komandimin në skemën e delegimit të gjyqtarëve znj. Igerta Hysi dhe z. Laurent Fuçia dhe caktimin e tyre përkatësisht në Gjykatën e Apelit Durrës dhe Gjykatën e Apelit Vlorë, për një afat të caktuar.
Në përfundim Këshilli vendosi miratimin e nxjerrjes nga përdorimi dhe transferimin kapital të disa aseteve si dhe rishpërndarjen e fondeve për në disa gjykata.