Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 21 Tetor 2020

Sot, në datën 21.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet  si vijon:

Në vijim të shqyrtimit në seancë dëgjimore publike të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, Këshilli vendosi caktimin e  datës 5 Nëntor 2020 për seancën e radhës, me qëllim dhënien e mundësisë palëve të njihen me dokumentacionin e dosjes personale të magjistratit.

Me qëllim krijimin e trupës ndihmëse dhe mbështetëse, profesioniste dhe me integritet, lehtësimit të punës së magjistratëve dhe shërbimit në kohë qytetarëve, Këshilli vendosi krijimin e njësive të shërbimit ligjor pranë secilës gjykatë të apelit, fillimin e procedurës së verifikimit të kancelarëve në detyrë, të kandidatëve për këshilltar dhe ndihmës ligjor që do pranohen në shërbimin civil gjyqësor, si dhe të kandidatëve që kanë plotësuar kriteret për pranimin në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për këshilltar dhe ndihmës ligjor, për vitin akademik 2020-2021.

Në përfundim të procedurave ligjore të verifikimit të kandidatëve, Këshilli vendosi kualifikimin e znj. Klodiana Veizi dhe vijimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Më tej, Këshilli vendosi caktimin e strukturës së posaçme për regjistrimin, administrimin dhe përpunimin e formularit të vetëdeklarimit, në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë  funksione publike”.

Në përfundim, Këshilli vendosi miratimin e pjesëmarrjes së gjyqtarëve në trajnimin vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës për periudhën Tetor-Dhjetor 2020, si dhe ndërprerjen e marrëdhënieve në shërbimin civil gjyqësor të ndihmësit ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë {…}, për shkak të dorëheqjes.

 

Back to top