Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është zhvillur një takim i Kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit znj. Albana Shtylla, me Kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor znj. Naureda Llagami, Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë z. Genti Ibrahimi dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë z.Artur Metani

Në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është zhvillur një takim i Kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit znj. Albana Shtylla, me Kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor znj. Naureda Llagami, Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë z. Genti Ibrahimi dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë z.Artur Metani.

Takimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjykata disiplinore që do të shqyrtojë ankimet e gjyqtarëve/prokurorëve apo të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndaj vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor apo të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u organizua me qëllim diskutimin e sfidave dhe përgatitjet që këto institucione dhe Kolegji kanë ndërmarrë për procedimet dhe gjykimet e çështjeve të juridiksionit disiplinor.

Kryetarja e Kolegjit, znj.Shtylla, si dhe drejtuesit e këtyre institucioneve kushtetuese, gjatë këtij takimi, nënvizuan rëndësinë që ka juridiksioni disiplinor krahas atij të rivlerësimit (procesi i vetting-ut) për kthimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Për këtë qëllim, ata vlerësuan se është e nevojshme që të ndërmerren masa për të parandaluar sjellje abuzive të gjyqtarëve/prokurorëve, si edhe marrja e masave disiplinore nëse vlerësohet se këta janë shkelës të ligjit.

Drejtuesit e institucioneve kushtetuese dhe Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, znj. Shtylla, theksuan se procedimet dhe gjykimi disiplinor duhet të zhvillohen bazuar në parimin e procesit të rregullt ligjor dhe parimet e tjera të parashikuara në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për këtë qëllim, ata u angazhuan për shkëmbimin e informacioneve dhe njohurive për praktikat më të mira ndërkombëtare si dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së në lidhje me procedimet disiplinore të gjyqtarëve/prokurorëve.

Gjithashtu, drejtuesit e këtyre institucioneve kushtetuese u angazhuan për një koordinim dhe ndërveprim në të ardhmen ndërmjet tyre si edhe me Kolegjin, si gjykatë disiplinore, sa i përket dokumentacionit që do të shoqërojë një procedim disiplinor të një gjyqtari/prokurori dhe mënyrën e administrimit të tij.

Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit znj.Shtylla dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë z.Metani, i kushtuan një vëmendje të veçantë edhe denoncimeve që paraqet publiku pranë Kolegjit dhe institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), duke u angazhuar që në të ardhmen, të përcaktohen modalitete për përcjelljen e tyre në mënyrë të ndërsjelltë me qëllim vlerësimin dhe gjykimin e tyre në institucionet e rivlerësimit (vetting-ut) apo verifikimin dhe hetimin nga ILD në kuadër të një procesi disiplinor.

Back to top