Njoftim për shtyp, datë 2 Tetor 2020
Sot me datë 02.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Më konkretisht:
Pas fillimit të shqyrtimit të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedimin disiplinor në ngarkim të {…} me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor {…}, Këshilli vendosi pranimin e kërkesës së magjistratit nën procedim për shtyrjen e seancës dëgjimore me datë 14 Tetor 2020, me qëllim ushtrimin prej tij të të drejtës efektive të mbrojtjes, në zbatim të parimeve themelore të ligjshmërisë si dhe procesit të rregullt ligjor.
Në vijim Këshilli vendosi, caktimin e seancës dëgjimore datë 20 Tetor 2020 për shqyrtimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit {…}.
Pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të emërimit, pasurisë dhe figurës, Këshilli vendosi kualifikimin për emërim të kandidates së diplomuar në Shkollën e Magjistraturës, znj. Entela Gjoni.
Këshilli pas shqyrtimit të kandidaturave për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, vendosi kualifikimin e magjistratëve znj.Margarita Buhali, dhe z.Dhimitër Lara, z.Klodian Kurushi dhe znj.Albana Boksi si dhe vijimin e procedurave të mëtejshme të emërimit.
Gjithashtu pas shqyrtimit të kushteve dhe kritereve ligjore për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Këshilli vendosi kualifikimin e magjistrateve znj. Miliana Muça dhe znj. Iliriana Olldashi si dhe vijimin e procedurave të mëtejshme të emërimit.