Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 19 Tetor 2020

Sot në datën 19.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjet si vijon:

Në vijim të procedurës së verifikimit të thelluar të kritereve ligjore të pranimit, pasurisë dhe figurës, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatëve për magjistrat për pranimin në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2020-2021, përkatësisht z. Renis Sheshi, z. Orald Hoxha, znj. Dorina Alushi, znj. Ajshe Xhafa, znj. Anisa Brinja, znj. Dorentina Mulaj, znj. Elona Mërtiri dhe znj. Edona Vajushi.

Në përfundim të procedurave ligjore të verifikimit të plotë të kandidatëve nga radhët e gjyqtarëve, me qëllim funksionalizimin e plotë të Gjykatës së Lartë, Këshilli vendosi kualifikimin e znj. Nertina Kosova dhe z. Artur Kalaja, si dhe vijimin e procedurës së emërimit të tyre në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, në vijim të procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore, të kandidatit të fundit nga radhët e juristëve të spikatur, Këshilli vendosi t`i caktojë një afat pesë ditor z. Darjel Sina, për të dhënë shpjegime lidhur me plotësimin e kushteve dhe kritereve për anëtar të Gjykatës së Lartë të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Më tej, në përfundim të procedurës së verifikimit, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidates znj. Ornela Naqellari dhe vijimin e procedurës së emërimit në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Në përfundim, Këshilli vendosi komandimin e magjistrates znj. Zeta Terpollari në pozicionin e nëpunësit përgjegjës për vlerësimin, në Njësinë e Vlerësimit Etik dhe Profesional të Gjyqtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor si dhe mbarimin e statusit të magjistratit, për {…}, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}.

 

Back to top