Skip to content Skip to main navigation Skip to footer

Njoftim për shtyp, datë 14 Tetor 2020

Sot me datë 14.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Më konkretisht:

Në vazhdim të shqyrtimit të kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor në ngarkim të magjistratit {…}, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, dëgjimit të parashtrimeve të palëve në seancë publike, Këshilli vendosi të shtyjë seancën për datën 21 Tetor 2020, me qëllim shqyrtimin me objektivitet dhe paanësi të provave dhe fakteve të paraqitura.

Me qëllim dhënien zgjidhje të problematikave në disa gjykata si dhe shërbimit në kohë qytetarëve, Këshilli vendosi caktimin në skemën e delegimit të magjistratëve z. Erjon Çela dhe z. Dritan Hasani dhe caktimin e tyre përkatësisht në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe Korçë, për një afat të caktuar.

Më tej, në përputhje me qëllimet dhe objektivat strategjikë për  funksionalizimin sa më shpejtë të Gjykatës së Lartë, evadimin e çështjeve gjyqësore të akumuluara, krijimin e një trupe mbështetëse profesioniste, Këshilli vendosi komandimin e znj. Engjëllushe Tahiri, znj. Lorena Çabej, znj. Iva Zemani dhe znj. Enisa Shahini, si ndihmës magjistrate në Gjykatën e Lartë.

Për shkak të mos aplikimit nga magjistratët në procedurat e mëhershme, Këshilli vendosi rihapjen e procedurës së ngritjes në detyrë për gjashtë vende vakante në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe atë të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në vijim të verifkimit të thelluar të kandidatëve për magjistrat për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2020-2021, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatëve znj.Edlira Çota, znj.Ina Yzellari dhe znj.Enkeleda Halilaj.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli vendosi kualifikimin e kandidatëve znj. Iliriana Olldashi dhe znj. Saida Dollani dhe vijimin e procedurës së emërimit në Gjykatën e Lartë, për pozicionet e lira për të cilat kanë aplikuar.

 

Back to top